Ministri Mehaj kërkon nga Ukraina, Gjeorgjia dhe Azerbajxhani njohjen e Kosovës
Ankara, 19 gusht - Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, gjatë qëndrimit të tij në Turqi është ftuar në drekë pune nga nikoqiri, ministri i Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Hulusi Akar, i shoqëruar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura Turke, gjeneral Yasar Guler.
Gjithashtu, pjesëmarrës në këtë rast kanë qenë ministrat e mbrojtjes së Ukrainës, Gjeorgjisë, Azerbejxhanit dhe Libisë.
Në këtë takim është diskutuar për mjedisin e sigurisë globale si dhe kërcënimet dhe rreziqet që e cenojnë këtë mjedis, krahas mekanizmave për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit të përgjithshëm.
Ndër të tjera, ministri Mehaj ka kërkuar nga ministrat e Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Azerbejxhanit që nga autoriteti i tyre të shprehin ndikimin e duhur në qeveritë dhe autoritetet politikë-bërëse dhe vendimmarrëse të shteteve të tyre, në njohjen sa më të shpejtë të Republikës së Kosovës dhe vendosjen e marrëdhënieve ndërshtetërore në të gjitha fushat.