Ministri Hyseni takoi përfaqësuesin e Somalisë
New York, 19 maj - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Skender Hyseni, priti sot në zyrat e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në New York, përfaqësuesin e përhershëm të Republikës së Somalisë në Kombet e Bashkuara, Dr. Elmi Ahmed Duale.
Me këtë rast, Ministri Hyseni i përcolli Qeverisë së Republikës së Somalisë falënderimet e thella për vendimin për njohjen nga Somalia të shtetit të Kosovës.
Ministri dhe Ambasadori i Somalisë në vijim u ndalën në një bisedë shumë të përzemërt dhe miqësore për gjendjen në vendet përkatëse, si dhe për marrëdhëniet bilaterale midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Somalisë.
Pas pranimit të notës zyrtare për njohje, Ministri Hyseni i dorëzoi përfaqësuesit të përhershëm të Somalisë në OKB një letër falënderimi për Ministrin e Jashtëm të Republikës së Somalisë, Ali Ahmed Jama Jangeli.