Ministri Hoxhaj turne lobues në Afrikë
Prishtinë, 11 mars - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj pas vizitës zyrtare në Greqi, ka udhëtuar për në Afrikë ku do të zhvillojë një turne lobues në kuadër të aktiviteteve për përmbylljen e procesit të njohjeve për shtetin e Kosovës.
Gjatë këtij turneu, ministri Hoxhaj do të vizitojë disa shtete të cilat nuk e kanë njohur ende shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës, ku do të prezantojë progresin e Republikës së Kosovës dhe argumentet e fuqishme për njohjen sa më të shpejtë të Kosovës nga të gjitha shtetet e Kombeve të Bashkuara.
Ministri Hoxhaj, sot (e hënë), do të qëndrojë në Botsuana, ku do të zhvillojë takime me përfaqësues të lartë të këtij shteti.
Hoxhaj do tu dorëzojë autoriteteve të Botsuanës kërkesën zyrtare për njohjen e shtetit të Kosovës.