Ministri Hoxhaj takon ministrin Haxhinaston në Romë
Romë, 29 mars - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, dhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, gjatë vizitave zyrtare që po zhvillojnë në Itali, të enjten kanë zhvilluar një takim të përbashkët në Romë.
Gjatë takimit, dy ministrat kanë biseduar për proceset e përbashkëta integruese të dy shteteve, me theks të veçantë për avancimin e agjendës evropiane të Kosovës, pas fillimit të studimit të fizibilitetit.
Haxhinasto ka ofruar përkrahjen e parezervë të shtetit shqiptar për Kosovën në rrugën integruese në mekanizmat e Bashkimit Evropian, si dhe në të gjitha aspektet tjera që lidhen me forcimin e shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.
Ministri Hoxhaj e njoftoi homologun nga Shqipëria për proceset e fundit në Kosovë, si dhe për progresin e vazhdueshëm që po bën Kosova në rrugën integruese evropiane.
Dy ministrat kanë biseduar edhe për avancimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve bilaterale mes dy shteteve.
Ndërkaq, ministri Hoxhaj e falënderoi përzemërsisht ministrin Haxhinasto dhe përfaqësuesit e tjerë të lartë të shtetit shqiptar, për lobimin që po bëjnë për rritjen e numrit të njohjeve të Kosovës.
Gjatë vizitës zyrtare në Itali, ministri Hoxhaj, i shoqëruar nga zëvendësministri Ibrahim Gashi, ka zhvilluar takime me ministrin e Jashtëm të Italisë, Giulio Terzi, përfaqësues të tjerë të lartë italianë si dhe me diplomatë të shteteve të ndryshme të akredituar në Romë.