Ministri Hoxhaj merr mbështetjen e Presidentit kroat Josipović
Zagreb, 29 mars Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj në ditën e dytë të vizitës zyrtare që po i bënë Kroacisë u takua me Presidentin e këtij vendi, Ivo Josipović. Ministri Hoxhaj e informoi Presidentin kroat për zhvillimet e përgjithshme në Kosovë, e veçanërisht rreth proceseve integruese evropiane të Kosovës.
Shefi i diplomacisë kosovare e ka falënderuar Presidentin Josipović për përkrahjen e vazhdueshme të shtetit kroat për zhvillimet pozitive në Kosovë.
Kroacia në 20 vitet e fundit ka ndihmuar për lirinë e Kosovës, ka ndihmuar edhe në periudhën e para dhe pas pavarësisë, ka ndihmuar Kosovën në të gjitha fazat. Tani është koha që të kemi marrëdhënie edhe më të mira me shtetin dhe popullin kroat, tha Ministri Hoxhaj.
Në anën tjetër, Presidenti i Republikës së Kroacisë, Ivo Josipović ka shprehur mbështetjen e shtetit të tij për shtetësinë dhe integritetin territorial të Kosovës, duke ofruar përkrahje të mëtejshme të Kroacisë për integrimet evropiane të Kosovës.
Ne kemi qenë ndër shtetet e parë në rajon që kemi pranuar pavarësinë e Kosovës. Ne edhe sot mbështesim integritetin territorial të Republikës së Kosovës dhe do të bëjmë çmos që ta forcojmë pozitën e saj ndërkombëtare, tha Presidenti Josipović.
Ministri Hoxhaj gjatë vizitës në Kroaci, të martën u takua edhe me komunitetin shqiptar që jeton në Zagreb.
Ministri Hoxhaj iu premtoi bashkatdhetarëve me banim në Kroaci se shumë shpejt do të kenë shërbime më të mira konsullore dhe se kërkesat e tyre do të gjejnë vend në agjendën e përbashkët që do të hartohet mes Republikës së Kosovës dhe Kroacisë.