Ministri Hoxhaj merr mbështetje nga pesë vendet e BE-së
Strasburg, 13 mars - Në ditën e parë të vizitës në Parlamentin Evropian në Strasburg, Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka zhvilluar takime të shumta me përfaqësues të Parlamentit Evropian dhe përfaqësues të shteteve të ndryshme evropiane.
Ministri Hoxhaj në takime të ndara me përfaqësues dhe deputetë të pesë shteteve të Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës i ka informuar ata për reformat e brendshme dhe për procesin e shtetndërtimit në Republikën e Kosovës.
Me këtë rast, Ministri Hoxhaj ka theksuar se pavarësia e Kosovës ka sjell paqe, stabilitet dhe siguri në Ballkan dhe Evropë.
Hoxhaj po ashtu ka shtuar se pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, për legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës, asnjë vend nuk ka arsye legale që ta shtyjë vendimin për njohje formale të saj.
Njohja e Kosovës ka sot një gjeografi globale dhe forcimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës është një proces i pakthyeshëm, tha Ministri i Jashtëm i Kosovës.
Nga ana tjetër, përfaqësues të këtyre pesë shteteve, kanë siguruar Ministrin Hoxhaj se do ta mbështesin fuqishëm perspektivën evropiane të Kosovës në të gjitha etapat e zhvillimit të saj.
Ata kanë vlerësuar progresin e vazhdueshëm që ka arritur Republika e Kosovës në vitet e fundit si faktor i paqes dhe stabilitetit në Ballkan.
Ministri Hoxhaj ka zhvilluar po ashtu një takim me Elmar Brok, Kryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlamentin Evropian.
Në këtë takim është diskutuar për perspektivën evropiane të Kosovës, për reformat që janë ndërmarr në përmbushjen e kritereve të BE-së, si dhe për procesin e liberalizimit të vizave dhe Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asocim.
Ministri Hoxhaj ka kërkuar nga Komisioni për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian që të mbështesë edhe më fuqishëm aspiratën e dy milionë kosovarëve për lëvizje të lirë në zonën Schengen dhe për fillimin sa më të shpejtë të Studimit të Fizibilitetit, si parakusht për të nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit.
Nga ana tjetër, Elmar Brok, Kryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlamentin Evropian ka siguruar Ministrin Hoxhaj se ky Komision do të jetë një zë i fuqishëm brenda Parlamentit Evropian për një perspektivë të qartë evropiane të Kosovës.
Ministri Hoxhaj gjatë ditës do të takohet edhe me Joseph Daul, Kryetar i Grupit Parlamentar të Partive Popullore, me Hannes Swoboda, Kryetar i Grupit Parlamentar i Aleancës Progresive dhe Socialdemokratëve.
Deri në mbrëmje, Ministri Hoxhaj do tiu drejtohet anëtarëve të Grupit Panevropian, që vepron në kuadër të Grupit Parlamentar të Partive Popullore në Parlamentin Evropian.