Ministri Hoxhaj i dorëzon Tajlandës kërkesën për njohje
Bangkok, 5 maj - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, po qëndron në një vizitë dy ditore në Mbretërinë e Tajlandës.
Me këtë rast, ministri Hoxhaj ka zhvilluar një takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Tajlandës, Surapong Tovichakchaikul.
Në këtë takim, ministri Hoxhaj ka informuar homologun tajlandez për zhvillimet në Republikën e Kosovës.
Hoxhaj ka theksuar se Republika e Kosovës në pesë vjetët e pavarësisë është një shtet modern, funksional, stabil dhe përbëhet nga një shoqëri shumë-etnike, në të njëjtën kohë ka një rritje të qëndrueshme ekonomike.
Ministri Hoxhaj i ka dorëzuar ministrit tajlandez kërkesën zyrtare për njohjen e Kosovës, shtet të pavarur dhe sovran.
Prandaj ne jemi shumë të përkushtuar që të vendosim marrëdhënie diplomatike me Mbretërinë e Tajlandës dhe ti forcojmë lidhjet e bashkëpunimit dhe miqësisë në mes të dy vendeve dhe popujve tanë, ka thënë ministri Hoxhaj, pasi ia dorëzoi kërkesën e njohjes ministrit Tovichakchaikul.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm i Tajlandës, Surapong Tovichakchaikul, ka mirëpritur vizitën e ministrit Hoxhaj në Tajlandë dhe ka siguruar atë që kërkesa për njohje do të shqyrtohet seriozisht nga ky shtet.
Në një të ardhme të afërt do të dëgjoni lajme pozitive për Kosovën, ka thënë ministri Tovichakchaikul, duke shtuar se pavarësia e Kosovës i ka kontribuar paqes dhe sigurisë në rajon dhe Evropë.
Në këtë takim është diskutuar edhe për marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare ndërmjet Tajlandës dhe Republikës së Kosovës.
Ministri Hoxhaj ka theksuar se përtej marrëdhënieve diplomatike, duhet të ketë bashkëpunim në fushën e ekonomisë, tregtisë, arsimit dhe kulturës.
Investitorët tajlandez janë të mirëseardhur të investojnë në Republikën e Kosovës, meqë vendi ynë ka potenciale të mëdha për investime kapitale dhe infrastrukturë ligjore që mbështesin investimet e huaja, popullatë shumë të re dhe dinamike, ka theksuar ministri Hoxhaj.