Ministri Demolli po qëndron për vizitë pune në Bruksel
Prishtinë, 24 qershor - Një delegacion i Ministrisë së Drejtësisë i kryesuar nga ministri Haki Demolli, po qëndrojnë për vizitë pune në Bruksel (Belgjikë).
Gjatë kësaj vizite delegacioni nga Prishtina është pritur nga znj. Viviane Reding, zëvendëspresidente e Komisionit Evropian për Drejtësi, të Drejta Fondamentale dhe Shtetësi.
Në këtë takim u diskutua për procesin e integrimit evropian në përgjithësi, me fokus në reformimin e sistemit të drejtësisë dhe sundimit të ligjit në Kosovë.
Ministri Demolli pasi e falënderoi znj. Reding për bashkëpunimin dhe mbështetjen e deritanishme, riafirmoi përkushtimin e Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Kosovës për të avancuar veprimet në agjendën evropiane.
Ministri Demolli në këtë takim theksoi se, Ministria e Drejtësisë, që nga fillimi ka analizuar të gjeturat dhe rekomandimet e Raportit të Progresit dhe ka punuar me përkushtim në përmbushjen e tyre.
Gjithashtu, ministri Demolli kërkoi nga zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian fillimin e bashkëpunimit me EUROJUST-in, organ ky i BE-së, i cili paraqet një rrjet të përhershëm të autoriteteve gjyqësore të ngarkuar me fuqizimin e efektivitetit të hetimeve dhe ndjekjes penale të krimit të rëndë jashtë kufitar dhe krimit të organizuar në shtetet anëtare të BE-së.
Në fund, Ministri Demolli i propozoi zëvendëspresidentes Reding, që të kërkoj nga Serbia të mos paraqitet si pengese ne zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, si dhe të ofrojë informata dhe të bashkëpunojë lidhur me ketë çështje.
Ndërkaq, zëvendëspresidentja Reding duke çmuar lart të arriturat e fundit në Ministrinë e Drejtësisë, shprehu gatishmërinë e saj që Komisioni Evropian të vazhdojë ti ofrojë mbështetje dhe bashkëpunim Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës.
Gjatë kësaj vizite delegacioni i Ministrisë së Drejtësisë ka realizuar takime edhe me znj. Tanja Fajon, Deputete e Parlamentit Evropian, si dhe anëtare e Komisionit për të Drejtat, Liritë Civile, Drejtësi dhe Punë të Brendshme, me Pierre Mirel, drejtor për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerim në Komisionin Evropian, me Laërence Meredith, Shef i Divizionit të Komisionit Evropian për Kosovën, si dhe me znj. Ulrike Lunaçek, deputete dhe raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian.