Ministrat e Kosovës dhe Serbisë së bashku në një konferencë

Prishtinë, 12 shtator - Për herë të parë, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë, kanë marrë pjesë së bashku në një konferencë, të përfaqësuar si Republika e Kosovës, përkatësisht Republika e Serbisë.
Në Forumin Strategjik të Bledit, organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Sllovenisë dhe Qendra për Perspektivë Evropiane, dy ditë më parë, pjesëmarrësit nga Kosova, janë përfaqësuar si delegacion i Republikës së Kosovës, raporton Blic.
Në këtë forum kanë marrë pjesë ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj dhe ai i Infrastrukturës, Fehmi Mujota dhe përfaqësues të tjerë. Nga ana delegacioni serb ka marrë pjesë ministri i jashtëm, Vuk Jeremic.
Ne e kemi njohur pavarësinë e Kosovës dhe përfaqësimi i tyre është bërë në atë mënyrë, kanë thënë organizatorët.
Kjo është hera e parë që në një vend të mblidhen përfaqësues të Kosovës e Serbisë, si dy shtete të pavarura.
Megjithatë, nga kabineti i Jeremicit thuhet se ai në këtë forum ka marrë pjesë të nesërmen, kur siç thonë ata, delegacioni nga Kosova nuk ishte aty.
Deri më tani, konferenca e forume të ndryshme janë përshkuar me refuzimin e Serbisë, në rastet kur kanë marrë pjesë përfaqësues të Republikës së Kosovës.