06 Janar 2025

Ministrat e jashtëm të Ballkanit shqetësohen për veriun e Kosovës

Tiranë, 15 dhjetor - Ministrat e jashtëm të Ballkanit, pjesëtarë të Kartës së Adriatikut, shprehën shqetësimin e tyre për situatën në veri të Mitrovicës, duke kërkuar që të hidhen hapa për marrëveshje.

Duke folur në emër të pjesëmarrësve të Kartës “Adriatik 5”, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, tha se ngjarjet në Mitrovicë cenojnë sigurinë e rajonit.

“Situata në veri të Mitrovicës është shqetësuese për sigurinë në rajon. Ne mirëpresim çdo hap në drejtim të arritjes së një marrëveshjeje. Ne mirëpritëm realizimin e disa marrëveshjeve mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, kryesisht për sa i takon menaxhimit të integruar të Kufijve”, tha ai.

Ministrat e jashtëm të Shqipërisë, Kroacisë, Maqedonisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës deklaruan bashkërisht në fund të takimit se dialogu dhe marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë është çështje e përqafimit të vlerave themelore të Bashkimit Evropian, dhe të integrimit në NATO.

Forumi kishte ftuar edhe ministrat e jashtëm të Kosovës dhe të Serbisë, me besimin se gjithë përfshirja e vendeve të rajonit është rruga e vetme për të forcuar paqen dhe qëndrueshmërinë si edhe për të çuar më përpara agjendat kombëtare të integrimit të secilit vend.

Ministrat e jashtëm të Ballkanit deklaruan se reformat për integrimin evropian të rajonit janë të lidhura ngushtë me reformat e sigurisë për integrim në NATO. 

Zëvendës-ndihmës sekretari i përgjithshëm i NATO-s, James Appathurai, tha se Aleanca ka besim të madh në rrugën që po ndjek bashkëpunimi rajonal i Kartës së Adriatikut.

“Më lejoni të them qartë se dyert e NATO-s janë dhe do të mbeten të hapura, dhe kjo do të theksohet sërish edhe në deklaratën e Samitit të Çikagos. Dyert do të hapen shumë shpejt për këtë rajon, sepse ky rajon nuk është ndonjë zonë fqinje e NATO-s por është shtëpia e NATO-s, dhe ne duam t’i kemi gjithë vendet brenda shtëpisë së përbashkët”, tha Appathurai.

“Shqipëria dhe Kroacia që u anëtarësuan më parë, janë dy shembuj të shkëlqyer se çfarë partnerësh të mirë mund të sjellë ky rajon për NATO-n”.


Ai theksoi se ashtu si bashkëpunojnë në Afganistan, vendet e Ballkanit po bashkëpunojnë edhe këtu në rajon dhe kjo është ajo çka dëshiron NATO: besim, bashkëpunim, reforma dhe integrim.

Takimi i ministrave të jashtëm të Kartës “Adriatik 5” analizoi edhe zhvillimet politike në secilin vend, ecurinë e integrimit në NATO dhe bashkëpunimin dypalësh.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)