Meta përshëndet Hondurasin për njohjen e Kosovës
Tiranë, 3 shtator - Një ditë pas vizitës zyrtare të Zv. Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme Ilir Meta, Republika e Hondurasit ka shpallur zyrtarisht njohjen e pavarësisë dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës.
Hondurasi është vendi i 70-të dhe i pari pas Opinionit Këshillimor të GJND-së që njeh shtetin e ri të Kosovës. Ky vendim vjen menjëherë pas vizitës zyrtare që Meta zhvilloi në Honduras, ku ai mori garanci për ndërmarrjen e këtij hapi të rëndësishëm nga Presidenti i Republikës, Porfirio Lobo Sosa dhe nga Ministri i Punëve të Jashtme, Mario Canahuati.
Gjatë bisedimeve, Meta e njohu Presidentin Lobo me zhvillimet e fundit në rajon, në veçanti me realitetin e ri pas Opinionit të GJND-së. Nga ana e tij. Presidenti Lobo e siguroi Zv. Kryeministrin Meta se Hondurasi është duke e qartësuar qëndrimin e tij lidhur me këtë çështje, duke shtuar se rasti i Kosovës është një rast unik dhe se vendi i tij e ka ndjekur këtë çështje me kujdes të veçantë.
Vendimi për njohjen e Kosovës i është komunikuar sot gjatë një bisede telefonike Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Skender Hyseni nga Ministri i Jashtëm i Republikës së Hondurasit, Mario Canahuati. Dy homologët ranë dakort për të filluar procedurat për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve.
Zv. Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta e përshëndeti nga kryeqyteti i Hondurasit zyrtarizimin e këtij vendimi duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm për mbarëvajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit si dhe shprehu mirënjohjen e Shqipërisë ndaj autoriteteve të Hondurasit për marrjen e këtij vendimi.