Mesiç: Kufijtë e Evropës Juglindore janë zgjidhur
Zagreb, 8 shkurt - Presidenti kroat në largim, Stipe Mesiç, në një intervistë ekskluzive për BBC-në deklaroi se çështja e kufijve në Ballkan është zgjidhur përfundimisht.
Sipas tij, Beogradi nuk është e thënë ta njohë Kosovën, por nuk guxon të pengojë të tjerët të komunikojnë me të. Sa u përket kufijve në hapësirën e Evropës Juglindore, kjo çështje përfundimisht është zgjidhur.
Pra, arkitektura e hapësirës sonë ka përfunduar. Marrëdhëniet mes Prishtinës, respektivisht Kosovës dhe shteteve të tjera përcaktohen me marrëveshje ndërshtetërore. Beogradi nuk është e thënë ta njohë Kosovën, por nuk guxon të pengojë të tjerët të komunikojnë me Kosovën, ka thënë Mesiç.
Bashkësia ndërkombëtare, e sidomos Evropa, sipas presidentit Mesiç, duhet të mbajnë llogari që në Kosovë të aktivizohen të gjitha potencialet e tyre ekonomike dhe para së gjithash potencialet njerëzore. Kur në Kosovë të jetohet mirë, atëherë mund të zgjidhen më lehtë edhe çështjet statusore.
Presidenti Mesiç ka thënë se serbët që kanë braktisur Kosovën, mund të kthehen kur të duan, sepse siç u shpreh ai, unë kam parë aktet normative të Kosovës ku sigurisht sot ekziston mbrojtja më e mirë e pakicave kombëtare. Kosova, sipas tij, ka standardet më të larta të mbrojtjes së pakicave që ekzistojnë sot në Evropë.
Ndërkaq, duke folur për Bosnjën, Mesiç tha se çështjet e hapura duhet të zgjidhen përmes negociatave e jo shkëputjes së Republika Serpskës.