Mërkiq: Në horizont një aranzhman solid dhe i ndershëm
Beograd, 19 prill - Shefi i diplomacisë serbe Ivan Mërkiq ka deklarua se në dialogun me Prishtinën në Bruksel në horizont është një aranzhman solid dhe i ndershëm dhe përfundimisht arritja e marrëveshjes e cila do të kënaqte të dyja palët.
Brenda 48 orëve të fundit janë krijuar disa presupozime që të arrihet marrëveshja. Duket qartë se ka filluar të mbisundojë qasja racionale, e cila besoj se rezulton nga paraqitja e delegacionit tonë, ka thënë ministri i Jashtëm serb.
Indeksonline shkruan se gazeta Novosti citon se sipas Mërkiq te ndërmjetësuesit evropianë shihet qartë se kanë filluar të shohin se Serbia nuk kërkon diçka që do të dëmtonte shqiptarët në Kosovë, as autoritetet në Prishtinë.
Sipas Mërkiqit, pala serbe ka pranuar të gjitha propozimet e Catherine Ashton, ndërsa Prishtina ende jo. Ai thotë se Prishtina papritmas ka dalë me një kusht të ri fundamental, nga i cili duhet të heqë dorë, nëse dëshiron sinqerisht zgjidhjen, ka thënë Mërkiq.