Merkel thotë se BE është gati për të nisur negociatat për Brex-it
Berlin, 10 qershor- Angela Merkel ka thënë se nuk sheh asnjë pengesë në fillimin e procesit të bisedimeve për Brexit ashtu siç është planifikuar, pasi Theresa May nuk arriti të fitojë shumicën në zgjedhjet e së enjtes në Mbretërinë e Bashkuar.
Kancelarja gjermane beson se Britania do të përmbush afatet kohore, duke shtuar se Bashkimi Evropian është \"gati\" për këtë proces.
Merkel tha se shpreson që Britania të mbetet një partner i mirë pas bisedimeve, që do të nisin më 19 qershor.
Ky është komenti i saj i parë pasi që Partia Konservatore e zonjës May humbi 13 vende.
May kishte thirrur zgjedhjet e menjëhershme për të siguruar një mandat të qartë për vizionin e saj për Brexit. May thotë se ajo do të formojë një qeveri me Partinë e Bashkimit Demokratik nga Irlanda e Veriut, e cila fitoi 10 vende.