Merkel: Rezultatet e zgjedhjeve votë e fuqishme për unitetin e BE
Berlin, 24 shtator - Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë se rezultatet e zgjedhjeve parlamentare në Gjermani, janë një votë e fuqishme për unitetin e Bashkimit Evropian.
Merkel, koalicioni i së cilës ka fituar 41.5 për qind të votave në zgjedhjet e së dielës, ka thënë se nuk sheh nevoja për ndryshim të politikës gjermane ndaj Evropës.
Gjermania ka qenë motori i ekonomisë së Evropës dhe mbështetësja kryesore e monedhës euro.
Merkel ka thënë se tashmë ka kontaktuar social-demokratët për mundësinë e formimit të koalicionit qeverisës.
Partneri i koalicionit të Merkelit qysh në vitin 2009, Partia Demokratët e Lirë, nuk ka fituar vota të mjaftueshme për të hyrë në Parlament.