Merkel: Greqia nuk kërcënohet nga falimentimi
Berlin, 22 mars - Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka paralajmëruar se nuk është nevoja të diskutohet për masa të tjera të BE për Greqinë. Ky vend nuk kërcënohet nga falimentimi, tha kancelarja gjermane, në intervistën e javës me radion kombëtare gjermane, Deutschlandfunk.
"Greqia ka një deficit shumë të lartë prej rreth 13% këtë vit. Dhe këtu shihet se, po ta thuash me një gjuhë të përgjithshme, ekziston rreziku që të falimentojnë edhe shtete. Dhe prandaj ka qenë e rëndësishme dhe e drejtë, që Greqia ka hartuar një program, një program i cili përmban reduktime të forta të deficitit. Dhe në zbatimin politik të kësaj ne e mbështesim Greqinë", tha Merkeli, e cila nënvizoi se kryeministri grek, Jorgos Papandreu e kishte siguruar disa herë atë se vendi i tij nuk ka kërkesa financiare ndaj BE-së.
Qeveria federale gjermane ka reaguar e rezervuar lidhur me kërkesën e Presidentit të Komisionit të BE-së Jose Manuel Barroso për një mekanizëm kredish për vendet me borxhe të larta të euro-zonës, si Greqia. Për ndihma të tilla nuk ka "asnjë instrument të përbashkët", tha ministri i Fianancave Wolfgang Schäuble për gazetën "Bild am Sonntag".
Pra mund të vijnë në pyetje - ndonjëherë - vetëm ndihmat bilaterale dhe vullnetare. Politikani i CDU-së vuri në dukje edhe një herë se Greqia e ka rrugën të hapur për para tek Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN). Ministria e Schäubles hodhi poshtë informacionet për mendime të ndryshme mes tij dhe kancelares Angela Merkel lidhur me krizën e Greqisë. Po ashtu një "ndalim të foluri" në zyrën e kancelares nuk ka pasur kurrë.