Merkel fton kryeministrin Thaçi në Berlin
Berlin, 6 qershor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pranuar ftesë nga Kancelarja e Republikës Federale të Gjermanisë, znj.Angela Merkel, për të marrë pjesë në një konferencë të nivelit të lartë, që do të mbahet me 28 gusht 2014 në Berlin, Gjermani.
I nderuari zotëri Kryeministër, i dashur zotëri Thaçi. Në koordinim me Ministrin Federal për Ekonomi dhe Energji, zotërinë Sigmar Gabriel, dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, zotëri Frank-Walter Steinmaier, ju ftoj përzemërsisht në një konferencë të nivelit të lartë për Ballkanin Perëndimor, të enjten më 28 gusht 2014 në Berlin, thuhet në ftesën e nënshkruar nga kancelarja Angela Merkel.
Znj. Merkel shkruan në ftesë se qëllimi i iniciativës është që tu jap shtytje të reja përpjekjeve për ekonomi dhe përparimin e shtetit ligjor, për siguri dhe pajtim në rajon. Po ashtu, edhe për forcimin e perspektivës evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor që është dhënë në qershor të vitit 2003. Ky takim është edhe shenjë e forcimit të bashkëpunimit të shteteve të rajonit mes vete, thuhet në këtë ftesë.
Takimi do të bëhet më 28 gusht 2014, në Berlin, dhe është i organizuar nga Bashkimi Evropian. Kancelarja Merkel shprehet e gëzuar me pjesëmarrjen e kryeministrit Thaçi në këtë konferencë.