23 Dhjetor 2024

Merkel dënon dëbimin "e pajustifikuar" të diplomatëve gjermanë nga Moska

Berlin, 5 shkurt - Kancelarja Angela Merkel dënoi të premten dëbimin nga Rusia të diplomatëve gjermanë si një largim i mëtejshëm i Moskës nga shteti i së drejtës.

Rusia njoftoi dëbimin e diplomatëve nga Suedia, Gjermania dhe Polonia, duke i akuzuar ata për pjesëmarrje në protesta të paligjshme muajin e kaluar kundër burgosjes së kritikut të Kremlinit Alexei Navalny.

"Ne e konsiderojmë këtë dëbim të padrejtë," u tha kancelarja Merkel gazetarëve pas një video-konference mbi çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë me Presidentin francez Emmanuel Macron, duke shtuar se të dy kishin marrë njoftime për dëbimet e diplomatëve gjatë takimit.

Kancelarja Merkel gjithashtu tha se Gjermania ishte gati të vazhdonte sanksionet ndaj Rusisë, përfshirë edhe kundër individëve të caktuar, por tha se ishte një "detyrë diplomatike" të mbante të hapura kanalet e komunikimit me fqinjin e madh lindor të Evropës.

Ajo u tha gazetarëve se Gjermania do të mbante "për momentin" të njëjtin pozicion të sajin në favor të gazsjellësit Nord Stream 2, që kundërshtohet nga Shtetet e Bashkuara dhe pjesa më e madhe e Evropës.

Projekti, i ndërtuar për të shtuar furnizimet e gazit rus në Evropë dhe për të anashkaluar Ukrainën, ka hasur në kundërshti nga Uashingtoni, i cili dëshiron të shesë gazin e tij në Bashkimin Evropian dhe të pakësojë mbështetjen e rajonit në furnizimet e energjisë nga Moska.

Ligjvënësit e Bashkimit Evropian miratuan një rezolutë në janar duke bërë thirrje që blloku të ndalojë përfundimin e gazësjellësit Nord Stream 2 në përgjigje të arrestimit të kritikut të Kremlinit Alexei Navalny.

Gjermania në të kaluarën ka thënë se nuk ka "asnjë lidhje të drejtpërdrejtë mes çështjes Navalny dhe projektit Nord Stream 2".

Ndërtimi i gazsjellësit midis Vyborgut të Rusisë dhe Lubminit të Gjermanisë, i cili do të dyfishonte kapacitetin e linjës ekzistuese Nord Stream nga Rusia në Gjermani, u pezullua në dhjetor 2019 pas një kërcënimi të sanksioneve amerikane dhe tërheqjes së kompanisë ndërtuese, Allseas.

Për administratën e re amerikane të Presidentit Joe Biden, Merkel tha se "fokusi i saj i menjëhershëm" do të ishte Rusia, Kina dhe "pozicioni ndaj partneritetit transatlantik për këto sfida".

Kancelarja gjermane gjithashtu mbrojti edhe një herë mënyrën se si evropianët bënë blerjen e vaksinave COVID-19.

"Vendimi për të porositur vaksina së bashku siç është Bashkimi Evropian ishte i drejtë," tha ajo ndërsa pranoi se kapacitetet prodhuese të Evropës "nuk janë aq të mëdha sa e kishim menduar".

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)