Më 25 nëntor, fillon zbatimi i këmbimit elektronik
Bruksel, 22 nëntor - Delegacioni i Republikës së Kosovës i udhëhequr nga zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka qëndruar dje në Bruksel për të marrë pjesë në takimin e radhës për zbatimin e Marrëveshjes së Menaxhimit të integruar të kufirit (IBM-it).
Në këtë takim bilateral mes delegacionit të Kosovës dhe delegacionit të BE-së të udhëhequr nga Bernd Thran, është biseduar për aspekte të rëndësishme të zbatimit të Marrëveshjes së IBM-it.
Fillimisht, të dyja palët kanë vlerësuar pozitivisht rrjedhat e zbatimit të kësaj marrëveshje, duke potencuar se tashmë janë vendosur standarde evropiane në bashkëpunimin ndërshtetëror mes Kosovës dhe Serbisë për çështjet e menaxhimit të integruar të kufirit ndërshtetëror, ndërkohë që po punohet për të avancuar këtë bashkëpunime dhe më tej.
Në drejtim të avancimeve, pala e BE-së konfirmoi se më 25 nëntor 2013 do të fillojë zbatimi i sistemit evropian të këmbimit elektronik të të dhënave për mallrat me akcizë mes autoriteteve doganore të Kosovës dhe Serbisë, që ka për synim rritjen e kontrollit doganor dhe pengimin e dukurive negative.
Pala e BE-së po ashtu njoftoi se Bashkimi Evropian është i angazhuar që Kosova të përfshihet në mënyrë të barabartë në nismat dhe organizatat rajonale në harmoni me Marrëveshjen e Brukselit për bashkëpunim rajonal, ku me këtë rast në veçanti u theksua rëndësia e pjesëmarrjes në organizatat rajonale nga fusha e sigurisë, dhe ftesa që Kosova të marrë pjesë në takimin e organizatës MARRI në muajin dhjetor, u konsiderua si hap përpara në këtë drejtim.
Në takim u biseduan edhe çështje tjera të rëndësishme që kanë të bëjnë me zbatimin e marrëveshjes së IBM-it dhe palët u dakorduan që takimi tjetër i radhës të mbahet sa më shpejtë.