Mbretëria e Bashkuar me sanksione ndaj dy serbëve në veriun e Kosovës
Londër, 10 dhjetor - Mbretëria e Bashkuar tha të premten se ka vendosur sanksione ndaj 30 figurave të korruptuara politike, shkelës të të drejtave të njeriut dhe autorë të përdhunimeve të lidhura me konfliktet në mbarë botën, përfshirë edhe serbë në veriun e Kosovës dhe në Serbi.
Në një njoftim të ministrisë së Jashtme britanike thuhet se në mesin e të sanksionuarve janë edhe Milan Radojçiç, një afarist i industrisë së ndërtimit dhe nënkryetar i Listës Serbe, i cili ka përfituar nga shpërdorimi i kontratave shtetërore dhe ka përdorur ndikimin e tij për t'u dhënë kompanive të tij të ndërtimit kontrata fitimprurëse dhe Zvonko Veselinoviç, një afarist i industrisë së ndërtimit në Kosovë duke përdorur kontrata publike për të përvetësuar fondet shtetërore
Të dy këta janë sanksionuar më 8 dhjetor të vitit 2021 nga Shtetet e Bashkuara.
Autoritetet britanike thanë se në listën e sanksioneve është edhe “Slobodan Teshiç, një tregtar i njohur armësh nga Serbia, që akuzohet për ryshfet ndaj kryeprokurorit të shtetit të një vendi tjetër”.
Slobodan Teshiç është po ashtu në listën e sanksioneve amerikane.
Autoritetet britanike thanë se “këto sanksione tregojnë përkushtimin e Mbretërisë së Bashkuar për të mbrojtur shoqëritë e lira dhe të drejtat e njeriut të të gjithëve, kudo”.
Lista Serbe, e dënoi vendimin e autoriteteve britanike, duke e cilësuar ndërkaq nënkryetarin e saj Milan Radoiçiç, “patriot të dëshmuar të rezistencës ndaj pushtimit të veriut të Kosovës” nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Në një reagim të kësaj liste thuhet se veprimet e tilla “shpërfaqin gjithë nervozizmin e atyre që duan të gjunjëzojnë serbët për më shumë se dy dekada, për t’i asimiluar dhe dëbuar ata nga shtëpitë e tyre”.