Mbahet takimi i radhës për zgjedhjet lokale mes Kosovës e Serbisë
Bruksel, 16 shtator - Delegacioni i Republikës së Kosovës i udhëhequr nga zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, mori pjesë në takimin e radhës për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, që u mbajt në Bruksel prej 12 deri më 14 shtator 2013, me ndërmjetësimin e OSBE-së.
Në këtë takim që kishte karakter të vlerësimit të mbarëvajtjes së procesit të përgatitjeve për zgjedhjet lokale u diskutua për rrjedhën e deritanishme si dhe rëndësinë që kanë këto zgjedhje.
Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, me këtë rast konfirmoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucioneve të shtetit, që zgjedhjet lokale të mbahen në një frymë demokratike dhe evropiane, duke respektuar ligjet e Kosovës ashtu siç e përcakton Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore në mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
Ajo vlerësoi se këto zgjedhje lokale kanë rëndësi të veçantë, duke qenë se mbahen për herë të parë në tërë Kosovën, dhe se kontribuojnë në mënyrë qenësore në vendosjen e demokracisë, ligjit dhe normalitetit në komunat veriore të vendit, të cilat pas shumë vitesh do të kenë strukturat komunale të zgjedhura në mënyrë legale dhe legjitime.
Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, po ashtu vlerësoi lartë angazhimin maksimal të Komisionit Qendror Zgjedhor, si organ kompetent për organizimin e zgjedhjeve në Republikën e Kosovës si dhe falënderoi OSBE-në për ndihmën e dhënë në këtë proces.
Në këtë drejtim ajo shtoi se subjektet politike dhe iniciativat qytetare duhet të respektojnë parimet dhe afatet ligjore për procesin e certifikimit duke theksuar se, këto zgjedhje janë jo vetëm test për demokracinë por edhe një kontribut për normalizimin e gjendjes në veri të vendit.
Përfaqësuesit e OSBE-së shprehën kënaqësinë e tyre për një bashkëpunim konstruktiv të të gjithëve në këtë proces dhe në veçanti vlerësuan lartë punën që po e bënë Komisioni Qendror Zgjedhor, për mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit.