Mbahet Forumi Global për Refugjatët
Gjenevë, 16 dhjetor - Sot, filluan punimet e takimit tre-ditor në nivel global që synon të transformojë mënyrën se si bota i përgjigjet situatave të refugjatëve. Takimi mbahet në Gjenevë, Zvicër.
Forumi i parë i organizuar ndonjëherë, Forumi Global i Refugjatëve, sjell së bashku refugjatët, krerët e shteteve dhe të qeverive, udhëheqësit e OKB-së, institucionet ndërkombëtare, organizatat zhvillimore, udhëheqësit e biznesit dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, e shumë të tjerë. Takimi mbahet në Palais des Nations, në selinë e Zyrës së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë.
UNHCR është bashkë-nikoqir i këtij Forumi së bashku me Zvicrën, dhe këtu marrin pjesë përfaqësues nga Kosta Rika, Etiopia, Gjermania, Pakistani dhe Turqia. Qëllimi i Forumit është të mundësojë qasje të reja dhe zotime afatgjate nga një mori akterësh për të ndihmuar refugjatët dhe komunitetet ku ata jetojnë. Mbi 70 milion njerëz anembanë botës janë shpërngulur për shkaqe të luftërave, konflikteve dhe persekutimit. Më shumë se 25 milion prej tyre janë refugjatë, të cilët kanë ikur dhe kanë kaluar kufijtë e vendeve të tyre dhe nuk mund të kthehen në shtëpitë e tyre.
"Ne, jemi duke përmbyllur një dekadë të zhvendosjes, gjatë së cilës periudhë numri i refugjatëve është rritur", tha Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët, Filippo Grandi.
"Gjatë kësaj jave, në Forumin Global për Refugjatët, të parin të mbajtur ndonjëherë të këtij lloji, ne duhet të përqendrojmë përpjekjet tona në dekadën e ardhshme në ndërtimin e asaj që kemi mësuar dhe në zotimin e veprimeve për të mbështetur refugjatët si dhe vendet dhe komunitetet që i strehojnë. Ky Forum është një mundësi për të dëshmuar zotimin tonë kolektiv ndaj Kompaktit Global për Refugjatët dhe të mbështesim aspiratat e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm për të mos lënë askënd prapa".
Kompakti Global për Refugjatët hap rrugën për të gjithë, që të marrin përgjegjësi dhe të luajnë një rol, duke përfshirë të gjitha nivelet e qeverisë, sektorin privat, agjencitë zhvillimore dhe institucionet financiare, shoqërinë civile, grupet religjioze si dhe refugjatët.
Kontributet e këtij Forumi pritet të përfshijnë ndihmë financiare, teknike dhe materiale; ndryshime ligjore dhe politike për të mundësuar përfshirje më të madhe të refugjatëve në shoqëri; vende të zhvendosjes dhe kthim i sigurt për refugjatët si pjesë e zgjidhjeve.
"Ne kemi nevojë për më shumë ndihma të tilla", theksoi Joelle Hangi nga Republika Demokratike e Kongos, e cila është një nga bashkë-sponsorët e Forumit për refugjatët.
"Tashmë kemi shumë shembuj të bashkëpunimit - por me rritjen e numrit të refugjatëve, ne kemi nevojë që sa më shumë njerëz të ofrojnë mbështetjen e tyre, si dhe duhet angazhim i më shumë qeverive, kompanive dhe komuniteteve për të ndarë përgjegjësinë dhe të ndihmojnë refugjatët. Kësisoj, ne do të rifitojmë lirinë dhe pavarësinë tonë dhe do të shpaguajmë ata që na ndihmuan".
Ky takim treditor në Gjenevë, i cili përfshin diskutime, ngjarje speciale dhe dialog të nivelit të lartë do të përqendrohet në gjashtë fushat kryesore siç janë: marrëveshjet për barrën dhe ndarja e përgjegjësive; arsimi; punësimi dhe kushtet e jetesës; energjia dhe infrastruktura; zgjidhjet; dhe kapaciteti mbrojtës. Do të ketë shumë mundësi për shkëmbimin e një sërë iniciativash dhe praktikash të mira që demonstrojnë se si Kompakti Global për Refugjatët mund të bëjë ndryshim.
Forumi gjithashtu do të shqyrtojë se si reagimet humanitare dhe zhvillimore mund të plotësojnë njëra-tjetrën. Për më tepër, në vazhdën e rolit gjithnjë e më të rëndësishëm të sektorit privat, në këtë takim marrin pjesë më shumë se 100 kompani dhe fondacione, të cilat do të bëjnë zotime për vende pune, financim dhe ndihma tjera.