Mbahen bisedimet teknike për telekom dhe energji
Bruksel, 12 qershor - Delegacioni i Republikës së Kosovës i udhëhequr nga Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, udhëheqëse e dialogut për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin, po qëndron në Bruksel për të marrë pjesë në raundin e radhës së bisedimeve për Zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Në këtë kuadër, gjatë ditës së djeshme janë mbajtur bisedime teknike për çështjet e telekomit dhe të energjisë, në përpjekje për të arritur marrëveshje në këtë dy fusha.
Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri pas takimit deklaroi se takimet u zhvilluan gjatë tërë ditës së djeshme në formatet bilaterale mes Delegacionit të Kosovës dhe të BE-së dhe kohë pas kohësh janë mbajtur edhe takime trelaterale, me pjesëmarrjen e palës serbe, mirëpo nuk kemi arritur marrëveshje por vetëm ka pasur përafrim të mëtejmë të qëndrimeve si në fushën e telekomit ashtu edhe të energjisë.
Siç ju kemi njoftuar më herët, në këtë radhë ishte paraparë se ndërmjetësuesi nga Bashkimi Evropian do të ofrojë propozime shtesë për zgjidhjen e dallimeve mes palëve, por kjo nuk ndodhi pasi që ndërmjetësi i BE-së kishte vendosur që edhe një herë tu jap mundësi palëve që të arrijnë deri te një pajtim dypalësh, tha Tahiri.
Për sa i takon fushës së telekomit, gjatë bisedimeve edhe njëherë u rikonfirmua pajtimi se Serbia nuk do të bëjë pengesa për sa i përket kodit shtetërorë telefonik të Kosovës, dhe Kosova vet do të aplikojë për kodin telefonik pranë Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit (ITU) ndërsa Bashkimi Evropian do të ndihmojë këtë proces, nga i cili pritet që njëri nga kodet e mundshme 383 ose 384 ti ndahet për shfrytëzim Kosovës.
Po ashtu, është rikonfirmuar gatishmëria për bashkëpunim mes dy shteteve për çështjet e roamingut dhe interkonekcionin (ndërveprimin) si dhe që ITU tia ndaj Kosovës brezin e sajë frekuencor, si dhe të ketë bashkëpunim ndërshtetëror dhe rajonal rreth Agjendës ndërkombëtare për digjitalizim.
Mospajtime ka pasur rreth kërkesës së Serbisë për të licencuar në Kosovë një operator të telefonisë mobile, ku ne kemi bërë të ditur se një kërkesë e tillë nuk është në pajtim me ligjet e Kosovës dhe përmes një procesi të tenderimit ndërkombëtar sipas parimeve evropiane për konkurrencën.
\"Ne kemi ofruar zgjidhje në kuadër të mundësive tona ligjore, përmes licencimit të një operatori virtual i cili do të vepronte si nënkontraktor i ndonjërës nga operator mobil në Kosovë.\"
Për çështjen e energjisë nuk ka pasur progres të mëtejmë në krahasim më raundin e kaluar, por ajo që vlen të theksohet si rezultati i rëndësishëm është zotimi i palës serbe për vendosjen e bashkëpunimit ndërshtetëror, në mes autoritetit të transmisionit të Kosovës KOSTT dhe aurotitetit homolog në Serbi, si dhe mos të pengohet rruga e këtij institucioni për tu bërë pjesë e institucioneve evropiane.
Mospajtimet kryesore kanë të bëjnë me kërkesat e palës serbe që të licencojnë një furnizues të energjisë në Kosovë, e cila është refuzuar nga pala e Kosovës, sepse sipas ligjeve të Kosovës mund të ketë vetëm një furnizues publik legal dhe ai është KEDS-si ( ndërsa më parë ishte KEK-u).
Po ashtu kemi theksuar se pas vitit 2015 kur pritet liberalizimi të tregut të energjisë në Evropën Juglindore atëherë do të krijohen mundësi të reja në këtë drejtim.
Procesi i bisedimeve të djeshme ishte i ngarkuar edhe me pengesa të natyrës politike meqenëse pala serbe angazhohej për zgjidhje me ngjyrime etnike të cilat nuk ishin në pajtim me ligjet e Republikës se Kosovës dhe parimet evropiane andaj pala e Kosovës nuk u pajtua dhe ato i refuzoi vendosmërisht.
Në delegacionin e Kosovës të udhëhequr nga Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri morën pjesë:
grupi i eksperteve për energjinë: Naim Bejtullahu, Kryeshef Ekzekutiv i KOSTT-it; Enver Halimi, Kryetar i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë; Merita Kostari, anëtare e Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë; Arben Gjukaj, Drejtor i KEK-ut; Elona Cecelia, Këshilltare politike e ZVKM Tahiri, kurse grupi i ekspertëve për fushën e telekomit ishte në përbërje të: Ekrem Hoxha, Kryetar i Bordit të Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare; Besnik Berisha, anëtarë i bordit nga Autoriteti Rregullator i Komunikimeve Elektronike dhe Postare dhe Gazmir Raci, Këshilltar politik i ZVKM Tahiri dhe Visar Xani, Keshilltar politik i ZVKM Tahiri.