Masakra e Srebrenicës, Obama: Të arrestohet Mlladiçi
Washington, 12 korrik - Presidenti amerikan, Barak Obama, ka bërë thirrje për dyfishimin e përpjekjeve për kapjen e Ratko Mlladiçit, i akuzuari kryesor për masakrën e Srebrenicës.
Në 15-vjetorin e kësaj masakre, Presidenti i SHBA-së Obama ka deklaruar se kjo masakër do të mbetet njollë në ndërgjegjen kolektive.
Ndërkohë përfundoi ceremonia e varrosjes së 700 viktimave të Masakrës së Srebrenicës, ku sipas autoriteteve morën pjesë mbi 50 mijë persona duke e kthyer kështu përvjetorin e 15 të ngjarjes së dhimbshme në përvjetorin më të madh të zhvilluar që nga ndodhja e masakrës.
Ndërkohë ajo që spikati në përkujtimore ishte mbërritja e presidentit serb, Boris Tadiç. Kreut të shtetit serb i është afruar një grua e cila në masakër ka humbur 2 djem dhe bashkëshortin, dhe në shenjë nderimi i ka kërkuar presidentit Tadiç që vizita e tij të jetë sa më e sinqertë për të sheshuar konfliktin mes serbëve dhe muslimanëve të Bosnjës.
Tadiç nuk ka folur para të pranishmëve por ka shprehur ngushëllimet e tij disave prej familjarëve të viktimave privatisht.
Në Srebrenicë, dhjetëra-mijëra persona kanë përkujtuar 15-vjetorin e masakrës më të rëndë në Evropë, që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.