Marty: Raportin e kam hartuar për të drejtat e njeriut
Strasburg, 25 janar - Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka nisur diskutimet mbi raportin e senatorit Dick Marty, që akuzon lidershipin e UCK-së për trafik organesh njerëzore.
Gjatë fjalës së tij, Marty ka deklaruar se raportin e tij e ka hartuar për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe për të vënë drejtësi për viktimat e këtij trafiku.
Raporti nuk flet për statusin e Kosovës, nuk flet për marrëdhëniet mes shqiptarëve e serbëve dhe për krimet e Milloshevicit. Ai është një raport që flet për shkelje të të drejtave të njeriut. Ka pasur kombe dhe shtete që janë ndjerë të fyer, por këtë unë e kam bërë për të afërmit e viktimave dhe për dënimin e kriminelëve, ka deklaruar Marty.
Më pas ai ka denoncuar eleminimin sipas tij të dëshmitarëve që mund të konfirmonin akuzat në raportin e tij.
Dëshmitarë nga pala serbe apo shqiptarë janë zhdukur dhe këto fakte ne nuk mund ti anashkalojmë, ka pohuar Marty, duke përfshirë në fjalimin e tij edhe Shqipërinë, ku sipas tij kryheshin transplantet e organeve.
Si raporti im ka edhe raporte te BBC dhe EULEX për persona të grabitur dhe të burgosur në kampet e përqendrimit në veri të Shqipërisë. Viktimat kanë qenë serbë por edhe shqiptarë të Kosovës, që janë konsideruar si tradhtarë për shkak se kanë bashkëpunuar me serbët, ka shtuar Marty.
Ndërkohë, zyrtarë të tjerë evropianë kanë reaguar duke kërkuar nga Marty që tia dorëzojë provat dhe dëshmitë e tij autoriteteve hetimore.
Ne duam një hetim ndërkombëtar lidhur me hetimin e akuzave të Dick Marty dhe mbrojtje të dëshmitarëve, ka deklaruar një zyrtar evropian.
Nderkaq përfaqësuesi serb në Asamblenë Parlamentare të KiE, Branko Ruzic është shprehur në mbështetje të raportit të Dick Marty mbi trafikun e organeve njerëzore nga organizatat mafioze shqiptare.
Ky raport nuk është një fitore por një humbje. Pragmatizmi nuk i shpëtoi dot viktimat e trafikut të organeve që u vranë. Nuk është e rëndësishme se kujt i përkisnin këto organe, serbëve apo shqiptarëve, e rëndësishme është se ato u janë hequr njerëzve dhe sot ka ende familjarë që kërkojnë njerëzit e tyre të zhdukur, ka deklaruar Ruzic.
Zyrtari serb ka kërkuar që me këto akuza të përballet edhe Shqipëria, për shkak të së ashtuquajturës shtëpia e verdhë që ndodhet në territorin e saj.
Ndërsa përfaqësuesja sllovene, Darja Bebler është shprehur se, ky raport përfaqëson punë e mirë të KiE. Të paraqiten prova të mëtejshme, por kjo nuk do të thotë që duhet të rrimë, ka deklaruar Bebler.