Marti sështë i gatshëm të përballet me Parlamentin Evropian
Bruksel, 17 janar - Dik Marti ka refuzuar kërkesën e Parlamentit Evropian që të dëshmojë para Komitetit të Politikës së Jashtme lidhur me raportin e tij për Kosovën.
Mediat si në Kosovë ashtu edhe ato serbe patën paralajmëruar se raportuesi i KE-së do të dëshmonte më 17 ose 18 janar para PE-së për akuzat e tij ngritur kundër drejtuesve të UÇK-së. Marti e arsytonn mosparaqitjen e tij me axhendën tepër të ngjeshur.
Ndërkaq, është paralajmëruar se ai do të flasë para Komitetit të Parlamentit Evropian në një seancë tjetër në muajin shkurt.
Disa burime të BE-së kanë thënë se prapa arsyetimeve të Martit, që të mos e pranojë ftesën për debat me parlamentarët evropianë këtë javë, qëndron edhe përllogaritja e tij që së pari, me 25 janar të zhvillohet debati në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, që aty eventualisht ai të marrë mbështetjen për raportin e tij kontradiktor, dhe më pas në Parlamentin Evropian të jetë në pozitë më të fortë me një raport të miratuar në Këshillin e Evropës.
Parlamenti Evropian është institucion i BE-së dhe nuk ka asnjë lidhje me Këshillin e Evropës. Ky i fundit është më shumë një organizëm i përgjithshëm pan-evropian, që kryesisht merret me të drejtat e njeriut në vendet e Evropës Lindore.
Në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, Dik Marti do ta ketë më të lehtë sesa në Parlamentin Evropian për të fituar mbështetje për akuzat që bën ndaj shoqërisë kosovare, UÇK-së dhe ndaj disa liderëve politikë të tanishëm të Kosovës dhe ish-udhëheqësve të UÇK-së.
Rusia ka një numër të madh të deputetëve në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, ndërsa në debat Marti sigurisht do të ketë edhe mbështetjen nga përfaqësuesit e Serbisë dhe disa shteteve të tjera.