Marti dështoi të paraqes prova për akuzat e tij
Strasburg, 11 mars - Në Strasburg dje është mbajtur një takim i Komitetit të jashtëm të Parlamentit Evropian, që ishte fokusuar në akuzat për trafikim të organeve në Kosovë, gjatë konfliktit në vitin 1999. Në këtë takim mori pjesë edhe autori i raportit, Dik Marti.
Takimi ishte i mbyllur për gazetarë, por pas mbledhjes, anëtarët e Parlamentit Evropian thanë se zoti Marti kishte dështuar të paraqiste çfarëdo prove lidhur me akuzat dhe i ka akuzuar anëtarët e PE-së, që ishin kritikë ndaj raportit të tij, për anim, shkruan e përditshmja Irish Times.
Problemi ishte se ai e paraqiti raportin e tij në mënyrë të ashpër dhe pastaj ne i bëmë pyetje në mënyrë të ngjashme të ashpër dhe ai filloi të na sulmoj neve, i tha gazetës anëtari i PE-së nga Gjermania, Bernd Posselt.
Ai gjithashtu theksoi se ai duhet të japë përgjigjje e jo t`i sulmoj njerëzit që i shtrojnë pyetje.
Gjithashtu, zoti Posselt tha se raporti nuk ishte serioz dhe shtoi se ai kishte dëshiruar të dëgjoj fakte serioze e jo polemikë dhe e gjithë ajo që ne patëm, ishte polemikë dhe opinione.
E përditshmja "Irish Times" gjithashtu transmeton fjalët e anëtares së Parlamentit Evropian nga Gjermania, Doris Pack, se reagimi i tij ishte shumë ofensiv.
Sipas saj, të paktën 90% të evroparlamentarëve, që i kishin bërë pyetje Martit, ishin shumë kritikë ndaj raportit.
Ajo theksoi se në fund ai ishte aq i furishëm dhe na sulmoi të gjithë ne dhe akuzoi se jemi të njëanshëm, sepse ne i njohim këta njerëz në qeverinë e Kosovës.
Duke theksuar se kuptohet se i njoh këta njerëz, pasi kam punuar në rajon për 24 vite, zonja Pack shtoi se Dik Marti nuk ka paraqitur emra të dëshmitarëve, të viktimave ose të organeve, që dyshohet se janë trafikuar.
"Irish Times" shkruan se kur gazeta i është afruar, Dik Marti ka refuzuar ta komentoj përmbajtjen e raportit ose përfundimin e dëgjimit.
Merret vesh se ai ka thënë në dëgjim në PE, se programi i mbrojtjes së dëshmitarëve është i nevojshëm në Kosovë, para se ai të paraqes më tepër detaje për dëshmitarët lidhur me akuzat për trafikim të organeve, pasi jeta e tyre ishte në rrezik, shkruan e përditshmja Irish Times.