Marrëveshjet, pikë kthtese në lëvizjen përpara agjendës së dialogut
Bruksel, 26 gusht - Pasi mbrëmë në Bruksel, u arritën katër marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini ka dal me një deklaratë sipas së cilës Kryeministrat e Serbisë dhe Kosovës kanë shënuar një pikë kthese në lëvizjen përpara të agjendës së dialogut.
Në njoftimin për media të zonjës Mogherini, theksohet se kryeministrat Isa Mustafa dhe Aleksandar Vuçiq, u pajtuan në parimet e përgjithshme të elementeve kryesore të Asociacionit apo Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, që e shtron rrugën për krijimin e saj dhe për tri çështje të tjera.
Mogherini, e cila sikur edhe më parë ka ndërmjetësuar në takimin e delegacioneve të nivelit të lartë të Kosovës dhe Serbisë, ka vlerësuar se kjo finale përfaqëson arritje madhore në procesin e normalizimit, dhe shton se zgjidhjet sjellin përfitime konkrete për njerëzit dhe, njëherësh, u mundësojnë të dy palëve të avancojnë në rrugën e tyre evropiane.
Zyrtarja e lartë evropiane e konfirmon se BE-ja në mënyrë aktive do ta mbështesë implementimin e plotë e këtij rezultati dhe se do të vazhdoj puna në hapat e ardhshëm të dialogut në muajt e ardhshëm.