Marrëveshja sipas kërkesave të Serbisë
Beograd, 19 prill - Bashkësia e komunave serbe në Kosovë do të ketë kryetarin, nënkryetarin dhe Këshillin si dhe të drejtën që të zgjedh komandantin e policisë rajonale dhe komandantët lokalë të katër komunave në veri dhe në jug, kudo që serbët përbëjnë shumicën.
Këto janë elementet kryesore të marrëveshjes e cila do të harmonizohet nesër me delegacionin e Prishtinës, shkruan portali i gazetës serbe Blic.
Kryeministri serb Ivica Dacic dhe zv/kryeministri Aleksandar Vucic kanë udhëtuar në Bruksel, pasi që, sipas burimeve të gazetës serbe, ata kanë marrë garanci se kërkesa kontestuese për përkrahjen e anëtarësimit të Kosovës në OKB do të ndryshohet.
Vazhdimi i dialogut është paraparë që zyrtarisht të fillojë në mesditë, kurse takimit trelateral në të cilin do të ndërmjetësojë baronesha Ashton, do ti paraprijë takimi i paradites i delegacionit serb me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Andres Fogh Rasmussen.
Në këtë takim Rasmussen do të prezantojë garanci për sigurinë e serbëve në Kosovë, respektivisht atë se ushtria e ardhshme e Kosovës nuk do të vendoset në kufirin me Serbinë.
Ndërsa përbërja e Policisë së Kosovës në të ardhmen do të jetë në proporcion me përbërjen nacionale në komuna të caktuara.