Marrëveshja para zbatimit simbolik
Bruksel, 18 qershor - Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Ivica Dacic, do të takohen të enjten në përpjekjen e fundit që të pajtohen rreth një plani të detajuar të veprimeve për ta zbatuar marrëveshjen e Brukselit.
Takimi në Austri i dy shefave të qeverive i ka bërë diplomatët perëndimorë optimistë se palët do të arrijnë që deri të enjten të japin sinjale pozitive.
Një plan i detajuar i veprimeve deri në shtator dhe disa veprime nga ana e palëve, pritet që të jenë argumente të mjaftueshme që ministrat e jashtëm fillimisht, kur të mblidhen të hënën e ardhshme por pastaj edhe shefat e shteteve anëtare që do të mblidhen më 28 qershor, të marrin vendime pozitive për Kosovën dhe Serbinë, shkruan Tribuna.
Pala kosovare duhet që ta ratifikojë Marrëveshjen në parlament, veprim që do të nënkuptojë se do të ndryshojnë ligjet me qëllim të zbatimit të saj si dhe do të emërojë komandantin e rajonit të veriut.
Ndërsa, pala serbe nga ana tjetër duhet të marrë vendim për shpërbërjen e strukturave paralele.