Marnak: Nuk mund ta kontrolloj sjelljen e çdokujt
Prishtinë, 18 prill - Shefi i EULEX-it, Xavier Bout de Marnakka thënë të hënën se rasti i zyrtarit të këtij misioni, i cili është suspenduar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, është marrë me seriozitet dhe nëse ka pasur shkelje të kodit të sjelljes, ajo sjellje do të dënohet.
Marnak ka theksuar se ai ndihet përgjegjës për çdo veprim të secilit punëtor të EULEX-it, mirëpo nuk mund ta kontrollojë çdo sjellje të tyren.
I pyetur për rastin e zyrtarit të EULEX-it, për të cilin është raportuar se ka abuzuar me detyrën e tij si zyrtar, Marnak ka thënë se nuk mund të jap konkluzione pa u vërtetuar akuzat.
Unë jam udhëheqës i misionit, nuk mund të them se nuk jam përgjegjës. Jam përgjegjës për gjithë misionin, por nuk mund të kontrolloj sjelljen e çdokujt. Tani po flasim vetëm për akuza që ende nuk janë vërtetuar dhe nuk dua të bëjë konkluzione, por nëse është nevoja do të marrim hapa, ka thënë ai.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi nga ana tjetër, ka thënë se vendimi i shefit të EULEX-it për suspendimin e këtij zyrtari ka qenë në përputhje me rregullat e brendshme dhe në përputhje me parimet e përgjithshme demokratike.
Mendoj se veprimi i zotit Marnak për suspendimin ka qenë i drejt dhe është një sinjal i mirë që ka përgjegjësi për veprimin e secilit anëtar të EULEX-it dhe natyrisht procedurat tjera janë ligjore. Udhëheqësit kudo edhe në Qeveri edhe në EULEX, kanë të drejtë të marrin masa disiplinore, përgjegjësia penale u mbetet gjykatave, ka thënë Kuçi.
Sipas tij, veprimet individuale, nuk i prishin raportet ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe misionit të EULEX-it.