Maqedonia me numër rekord të azilkërkuesve për 2012-tën
Bruksel, 7 janar - Ndërsa Bashkimi Europian vijon të diskutojë rikthimin e regjimit të vizave, shënohen shifra të tjera rekord azilkërkuesish.
Gazeta e Sarajevës, Dnevni Avaz citon burimet e Iniciativës për Stabilitet Europian (ESI) me qendër në Bruksel, sipas së cilës viti që lamë pas shënoi një rritje alarmante të shifrave të azilkërkuesve.
Sipas këtyre të dhënave, gjatë vitit që lamë pas 33.500 persona nga vendet e Ballkanit kanë kërkuar azil, nga 29.680 që ishte në 2011. Rreth 90 përqind e tyre janë romë.
E ndërkaq, në fillim të vitit që sapo hymë pritet që të ketë një vendim përfundimtar për rivendosjen e vizave. Por tre strukturat europiane, Komisioni, Këshilli dhe Parlamenti Europian duket se nuk po bien dakord për mekanizmat e kësaj procedure.
Kërkesa e Malmstrom në maj të 2012, ka ardhur pas shqetësimit në rritje të numrit të azilkërkuesve nga vendet të cilat iu hoq regjimi i vizave, si Serbia apo Maqedonia.