Maqedonia do të ratifikoj marrëveshjen Maqedoni - Kosovë
Shkup, 21 tetor - Parlamenti i Maqedonisë sot ka në rend dite edhe marrëveshjen Maqedoni - Kosovë për hapjen e pikës së re kufitare Bellanoc Stançiq.
Kjo marrëveshje pritet të ratifikohet dhe se do të zyrtarizohet vendimi nga ana e Shkupit për hapjen e kësaj pike të re kufitare për lëvizje të lirë midis dyja vendeve.
Ministrat e brendshëm të Kosovës dhe Maqedonisë, Bajram Rexhepi dhe Gordana Jankullovska në fund të qershorit të këtij viti firmosën marrëveshjen për hapjen e kësaj pike të re kufitare ndërkombëtare, por ata nuk kishin dhënë afate se kur do të ndodhë hapja.
Hapja e kësaj pike kufitare ka qenë një kërkesë e kamotshme e banorëve të të dyja vendeve në vendbanimet e afërta kufitare.
Pala kosovare deri tani ka realizuar aspektin infrastrukturor deri në afërsi të kufirit, derisa nga ana e Maqedonisë nuk kanë nisur punimet infrastrukturore të rrugës.
Deputetët do të debatojnë dhe do të shqyrtojnë edhe çështje dhe propozim- ligje të tjera, ndër të cilat konfirmimi i ndërprerjes së mandatit të anëtarëve të këshillit të Radiotelevizionit të Maqedonisë, plotësimi i ligjit për lizing, ligjit për furnizime publike, ligji për punësim të të huajve si dhe propozim ligje të tjera.