Mali i Zi notë proteste Beogradit për serbët në shtetet fqinje
Podgoricë, 13 mars - Qeveria e Malit të Zi i dërgoi një notë të ashpër proteste Beogradit në lidhje me strategjinë e tij për mbajtjen dhe forcimin e lidhjeve mes Serbisë dhe serbëve etnikë në shtetet fqinje, njoftoi media malazeze.
Sipas saj, Podgorica këtë strategji e sheh si akt të përzierjes në punët e brendshme të Malit të Zi.
Strategjia e përpiluar nga qeveria serbe, kërkon që serbët të shpallen si popull shtetformues në Malin e Zi, sipas modelit të serbëve në Bosnje-Hercegovinë.
''Çdo aktivitet politik nga jashtë, me qëllim ndryshimin e Kushtetutës së Malit të Zi, siç është rasti me dokumentin e qeverisë serbe, është përzierje e drejtpërdrejtë në punët e brendshme të shtetit sovran të Malit të Zi dhe është në kundërshtim me parimet fondamentale të marrëdhënieve të mira fqinjësore'', theksohet në kumtesën e qeverisë së Malit të Zi.
Në fillim të shkurtit, presidenti i Serbisë, Boris Tadiç mbajti një fjalim me përfaqësuesit serbë të vendeve fqinje për shqyrtimin e kësaj strategjie.