Madeleine Albright vazhdon përkrahjen për Kosovën

New York, 22 shtator - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga u takua sot me ish-sekretaren amerikane të Shtetit, zonjën Madeleine Albright, me të cilën diskutoi për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe përpjekjet për shtimin e njohjeve të reja për vendin.
Presidentja Jahjaga e njoftoi ish-sekretaren Albright me qëllimet strategjike të Kosovës për integrim në Bashkimin Evropian dhe NATO dhe tha se ato janë mënyra më e mirë për të ofruar kornizën brenda të cilës do të ndërmerreshin reformat dhe konsolidimi i vazhdueshëm demokratik i Kosovës dhe rajonit.
Presidentja Jahjaga përmendi në veçanti nevojën që Kosova ka për të vendosur marrëdhënie kontraktuale me BE-në dhe me Aleancën Veriatlantike përmes programit të saj për Partneritet për Paqe.
Ajo i paraqiti zonjës Albright idenë për krijimin e grupit Miqtë e Kosovës, që ka për synim ngritjen e imazhit të Kosovës dhe promovimin e saj nëpër vendet me të cilat Kosova nuk ka marrëdhënie diplomatike.
Zonja Madeleine Albright, duke e përgëzuar Presidenten Jahjaga për punën dhe lidershipin e saj, tha se mbetet mike e madhe dhe e përkushtuar e Kosovës,.
Ajo shprehu përkrahjen për Kosovën dhe rrugën e saj të qartë në procesin e integrimeve evropiane.
Ish-sekretarja amerikane e shtetit tha se Kosova dhe i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor janë të vetmet pjesë që mungojnë për ta përmbushur vizionin për një Evropë të bashkuar dhe të lirë.