MacShane: Raporti i Martit nuk ka asnjë deshmi
Prishtinë, 24 janar - Ish-ministri britanik për Evropë, Denis MacShane, në një takim me kryeministrin e Republikës së Kosovës në shkarkim, Hashim Thaçi, ka deklaruar se Marty nuk e përfaqëson Zvicrën, ai nuk e përfaqëson as Këshillin e Evropës, ai përfaqëson vetem Dick Marty-in.
"E kam lexuar raportin me kujdes me një lupë zmadhuese dhe aty nuk kishte asnjë dëshmitar, asnjë pjesë të dëshmisë. Marty është jurist me profesion dhe në atë raport ai vepron 100% si politikan me një ngarkesë të madhe të armiqësisë ndaj Kosovës dhe nëse ju e lexoni raportin ai në të vërtetë argumenton se në vitin 1999 Millosheviqi do të duhej të vazhdonte të dërgonte togjet e tij vrastare për të masakruar myslimanët, qoftë në Kosovë, ose siç u tha më herët, në Srebrenicë. Ai është mendim i z. Marty, ai ka të drejtën ta thotë mendimin e tij. Edhe Rusia mendon ashtu.", ka theksuar MacShane.
Ai po ashtu ka theksuar se politikanët britanikë, qeveria e re dhe qeveria e kaluar, dëshirojnë të shohin se të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian e njohin shtetin e Kosovës dhe dëshirojnë të inkurajojnë investimet normale afariste këtu, një udhëtim normal të turistëve.
Çështja e dytë është për të gjetur një zgjidhje për mosmarrëveshjet e vazhdueshme me Serbinë për shkak se edhe për Serbinë, rruga për në Bruksel kalon nëpër Prishtinë. Përderisa të ketë një marrëveshje dhe një pranim nga Serbia se Kosova duhet të jetë Kosovë edhe e ardhmja evropiane e Serbisë përmban një pikëpyetje.
Dhe çështja e tretë është se të gjithë e dëshirojnë një Kosovë të pastër, një Kosovë të ndershme, një Kosovës ku akuzohet e kaluara e ku nuk akuzohet e ardhmja, tha ish-ministri britanik.
Ndërsa, lidhur me raportin e Dick Martyt, kryeministri Thaçi rikujtoi se: "I kam dërguar letër Këshillit të Evropës, me një mbështetje të plotë që gjërat të shpifura të prezantuara në raportin e Dick Martyt, të investigohen deri në fund."
Ai ka thënë se i ka dhënë mbështetje të plotë autoriteteve të EULEX-it. Kosova është shtet ligjor.
"Ne nuk kemi asgjë për të fshehur, prandaj i besojmë drejtësisë", ka thënë Thaçi.