MacShane: Raporti i Martit, fushatë për të penguar njohjet
Londër, 8 shkurt - Ish-ministri për Ballkanin në qeverinë e Londrës, Dennis MacShane ka mbrojtur Kosovën dhe kryeministrin Thaçi në një koment të publikuar në prestigjiozen amerikane The Wall Street Journal.
Në intervistën e tij MacShane theksoi se po zhvillohet një fushatë e ashpër mediatike kundër Thaçit dhe Kosovës në mënyrë që të pengohen njohjet e tjera për shtetin e ri.
"Muajin e kaluar Këshilli i Evropës miratoi një raport të politikanit zviceran, Dick Marty, që akuzon kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, për rrëmbimin dhe shitjen e organeve të serbëve të ekzekutuar në burgje në vitin 1999. Akuzat bënë kryetitujt e botës. Pas kundërthënieve për Irakun, mesazhi ishte i qartë: Intervenimi i Perëndimit në Kosovë 12 vjet më parë ishte gjithashtu një gabim. Problemi është se raporti i Martyt është më shumë një punim fantastiko-shkencor i motivuar politikisht sesa një investigim kriminal i vërtetë", ka theksuar MacShane.
Ai citon komentet e Geoffrey Nice, ish-zv/prokuror i Hagës, që hodhi në mënyrë profesionale poshtë pretendimet e Martyt për tregëtinë e supozuar me organet e serbëve.
MacShane propozon që nëse është e nevojshme Këshilli i Evropës të organizojë debat për këtë çështje ndërmjet juristëve britanikë dhe zviceranë, dhe do të vërtetohej se britanikët kanë të drejtë.
Anëtari i Palamentit britanik, thotë se mediat ndërkombëtare, ndoshta pa dashje janë bërë pjesë e fushatës së egër kundër Kosovës, me qëllim ndaljen e njohjes ndërkombëtar.
MacShane ka qenë në fund të muajit të kaluar në Kosovë ku ka takuar Thaçin dhe ka marrë një mirënjohje nga një kolegj privat.