Macron, thirre qe Europa të bashkohet për të parandaluar kaosin global
Berlin, 19 nëntor - Presidenti francez, Emmanuel Macron ka bërë thirrje për lidhje më të ngushta mes vendit të tij dhe Gjermanisë, teksa tha se “Europa e ka për detyrim të mos lejojë botën të rrëshqasë drejt kaosit”. Macron ndodhet në Berlin për të marrë pjesë në ditën kombëtare të vajtimit për viktimat e luftës.
Në fjalimin e mbajtur në Parlamentin gjerman, Bundestag, shefi i Elizesë tha se “Europa nuk duhet të shndërrohet në një lodër të fuqive të mëdha”. Ai kërkoi një Bashkim Europian më të integruar, e sigurisht edhe me një buxhet të përbashkët të eurozonës.
Macron theksoi dëshirën për të pasur mbështetjen e Gjermanisë për një ushtri europiane, që siç tha ai do të mund të reduktonte varësinë e bllokut nga Shtetet e Bashkuara, teksa kërkoi edhe një taksë të re mbi gjigantët e internetit dhe teknologjisë.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka shprehur mbështetjen paraprake për disa prej këtyre ideve, por disa prej tyre, gjithsesi shihen si kontroverse në Berlin.
Udhëheqësi francez foli për forcat nacionaliste “pa kujtesë”, ndërsa nxiti forcat progresive të bashkohen në një botë gjithnjë e më të paqartë.
“Ka shumë fuqi që dëshirojnë të na pengojnë, që ndërhyjnë në debatet tona publike, sulmojnë demokracitë tona liberale, e po përpiqen gjithashtu të na vendosin kundër njëri-tjetrit. Në këtë rend global, të cilin duhet ta marrim në konsideratë shumë seriozisht, forca jonë e vërtetë qëndron te bashkimi”, tha Macron.
Presidenti amerikan, Donald Trump u përfshi në një diskutim të gjatë në rrjetet sociale, për shkak të shprehjeve të ngjashme të Macronit një javë më parë, kur udhëheqësi francez e quajti nacionalizmin si “tradhti ndaj patriotizmit” teksa përkujtonte së bashku me krerë të tjerë shtetesh 100-vjetorin e fundit të Luftës së Parë Botërore.