Lunaçek: Udhërrëfyesi brenda pak javësh
Prishtinë, 22 maj - Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek ka deklaruar se Kosova shumë shpejt do të marrë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave.
Këto komente, sipas REL, eurodeputetja i ka bërë përmes një video-konference me studentët e universitetit AAB & Riinvest, në Kosovë.
Parlamenti Evropian është i përkushtuar që ti afrojë të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor sa më pranë Bashkimit Evropian, ka thënë Lunaçek.
Brukseli zyrtar i ka premtuar Kosovës se do tia dorëzojë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave gjatë pranëverës së këtij viti.
Më herët gjatë muajit, Lunaçek mbështeti kritikat e kryeministrit kosovar Hashim Thaçi ndaj Brukselit, se nuk ka një vizion të qartë për Kosovën.
Unë pajtohem me deklaratat e kryeministrit dhe të gjithë ata që më njohin në Kosovë e dinë se unë e kam kritikuar BE-në dhe në veçanti disa shtete anëtare, deklaroi eurodeputetja.
Vetë Thaçi lëshoi një sërë kritikash ndaj Bashkimit Europian, që sipas tij po tregohet i padrejtë ndaj përparimeve të Prishtinës në proçesin e integrimit.
Madje, kryeministri kosovar tha se, përderisa Kosova që nga shpallja e pavarësisë ka punuar njëanshëm për afrimin me strukturat e BE-së, ky i fundit ka vepruar me hapa të ngadaltë.
Nga ana tjetër, Thaçi po ushtron presion mbi ministrat e kabinetit qeveritar për realizimin e axhendës që orienton Kosovën në rrugën drejt Bashkimit Europian.