Lunaçek: Të drejtat e barabarta si për veriun dhe për Preshevën
Bruksel, 23 janar - Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek deklaroi se të drejtat që do të kenë serbët në veri do ti gëzojnë edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Ky është edhe principi i Bashkimit Evropian. Në shumë vende të BE-së kemi minoritete, që kanë të drejta të barabarta në të gjithë familjen evropiane, kanë të drejta për përdorim të gjuhës dhe qasje në shërbime të ndryshme, por edhe shumë të drejta të tjera. Këto të drejta i kanë minoritete në BE dhe të njëjtat duhet ti kenë pakicat qoftë në Kosovë, Serbi apo në cilindo vend të Ballkanit Perendimor, tha Lunacek.
Ajo theksoi se takimi i paralajmëruar mes Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe atij të Serbisë, Tomislav Nikoliç, është sinjal që Serbia po lëviz drejt njohjes së Kosovës.
Presidentët e dy shteteve të pavarura do të takohen ndërmjet vete. Ky është një sinjal i mirë për Kosovën në prag të shënimit të pesë vjetorit të pavarësisë. Gjithë këtë ne duhet ta shohim se Serbia me Qeverinë aktuale është duke bërë hapa, që një ditë do të dërgojnë drejt njohjes së Kosovës, e di se kjo nuk do të ndodh nesër siç unë dhe shumë kosovarë do të dëshironin tha eurodeputetja austriake Ulrike Lunacek.
Gjithashtu Lunacek tha se nuk pret nga Nikoliç të deklarojë se me shtrëngimin e duarve me Jahjagen, Serbia po e njeh Kosovën, por sipas saj, në politikë, simbolet dhe imazhet janë shumë të rëndësishme dhe flasin qartë.