Lunaçek nuk do të jetë përfaqësuese e BE-së në Kosovë
Prishtinë, 1 qershor - Euro deputetja Ulrike Lunaçek nuk do të jetë përfaqësuese e zgjedhur e Bashkimit Evropian në Kosovë për arsye formale.
Ajo nuk është diplomate e karrierës, ndërsa poste të tilla si ky në Prishtinë, mund të udhëhiqen vetëm nga diplomatë që punojnë në shërbimin e punëve të jashtme. Kështu shkruan sot gazeta austriake Die Presse.
Lunaçek i ka thënë gazetës vjeneze Die Presse se shpresat e saj ishin thyer nga përfaqësuesit e zyrës së zonjës Ashton, pikërisht për këtë arsye formale. Rregullat e BE-së parashikojnë që personi i cili do të marrë postin e përfaqësuesit të BE duhet të jetë diplomat i vendit nga vjen ose funksionar i Komisionit Evropian.
54 vjeçarja Luançek, e cila është deputete e të gjelbërve në Parlamentin Evropian gjatë karrierës së saj politike nuk ka qenë asnjëherë diplomate, pasi më pare ka qenë aktiviste e disa organizatave joqeveritare.
Luançek në deklaratën e saj për gazetën Die Presse që botohet në numrin e sotëm, kritikon zonjën Ashton, e cila siç thotë, vetë e kishte joshur të konkurronte për këtë post kurse tani e refuzon kandidaturën për arsye formale.
Jam shumë e irrituar me zonjën Ashton, e cila ka vendosur këtë kusht tejet formal citohet Lunaçek në gazetën vjeneze die Presse.