Lufta e Sirisë e trazirat në Egjipt, sfidat globale për vitin 2014
Washington, 24 dhjetor - 2013-a ishte një vit i vështirë për Presidentin Barack Obama për sa i përket politikës së jashtme. Nga lufta civile e Sirisë, tek trazirat në Egjipt, bisedimet mbi programin bërthamor me Iranin dhe menaxhimi i marrëdhënieve me Kinën dhe Rusisë, duket qartë se cilat do të jenë sfidat globale me të cilat do të përballet presidenti Obama për vitin 2014.
Presidenti Obama u përball me një numër çështjesh të politikës së jashtme gjatë vitit 2013 nga debatet rreth përgjigjes së tij ndaj sulmit me armë kimike të qeverisë siriane në bisedën telefonike me presidentin e ri iranian dhe negociatat për marrëveshjen bërthamore.
Ai u takua me udhëheqësin kinez, vizitoi Afrikën, dhe nderoi kujtimin e Nelson Mandelës.
Por pozita e tij u dëmtua nga njoftimet rreth përgjimeve elektronike nga agjencitë amerikane të zbulimit, të cilat shkaktuan tensione me aleatë kryesorë të Amerikës.
Obama mori pjesë në takimin e nivelit të lartë të grupit të njëzetëshes në Rusi, por anuloi një takim zyrtar me Presidentin Vladimir Putin.
Në fjalimin që mbajti në Kombet e Bashkuara në shtator, ai e pranoi atë që ai e quajti pakënaqësi ndaj angazhimit global të Amerikës, por tha se mosangazhimi do të ishte gabim:
Besoj se Amerika duhet të mbetet e angazhuar për të mirën e sigurisë së vet, por edhe për të mirën e botës.
Daniel Serwer i Fakultetit të Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare në Universitetin Johns Hopkins, thotë se në Siri zoti Obama siguroi një marrëveshje për zhdukjen e armëve kimike pa një ndërhyrje ushtarake, por shton ai, ekzistojnë implikime të tjera.
Ekziston një dominim në rritje i ekstremistëve mes opozitës, që do të përbënin një problem shumë serioz për ne nëse bie regjimi i Bashar al-Assadit. Në një rast të tillë do të përballeshim me fqinjë dhe struktura shtetrore të pasigurta si në Irak, Jordani, Turqi dhe Liban.
Heather Conley e Qendrës për Studimet Strategjike dhe Ndërkombëtare thotë se nuk dihet me siguri nëse zoti Obama do të ketë mundësi të përqendrohet në politikën e jashtme.
Me skandalin e përgjimeve nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare, reformën e kujdesit shëndetësor dhe mbylljen e qeverisë, shumë udhëheqës botërorë janë të shqetësuar nëse Presidenti Obama mund të kapërcejë sfidat e politikës së brendshme, për tiu kthyer çështjeve ndërkombëtare.
Në vitin 2014, rritmi i tërheqjes së trupave amerikane dhe të NATO-s nga Afganistani do të intensifikohet.
Zonja Conley thotë se amerikanët dhe bota do të presin nga zoti Obama që të qartësojë arritjet dhe koston e këtij konflikti të gjatë dhe të përgjakshëm.
Ekuilibri i brishtë mes objektivave fillestare dhe kostos së kësaj lufte duhet të jetë pjesë e një debati shumë delikat jo vetëm në vend por edhe në arenën ndërkombëtare.
Një anketë e kohëve të fundit e qendrës kërkimore Pew arriti në përfundimin se mes amerikanëve ka rënë mbështetja për një angazhim nëpër botë, një sfidë kjo për besimin e zotit Obama në rolin që duhet të luajnë Shtetet e Bashkuara.
Në një farë mënyre zoti Obama fajësohet për atë që shikohet si rënie e ndikimit amerikan në botë. Unë mund tju them se rënia e ndikimit të Amerikës nëpër botë nuk ka rënë po të pyesësh njerëz në vende të tjera. Ka shumë vende në botë, ku ndikimi amerikan është shumë i madh.
2014 do të sjellë më shumë sfida, ndërsa vazhdojnë negociatat me Iranin, një konferencë e organizuar nga Kombet e Bashkuara për paqen në Siri është caktuar për në janar dhe Uashingtoni përballet me marrëdhëniet e pasigurta me Afganistanin, Pakistanin, Kinën dhe Rusisë.