Londra digjet tri netë me radhë, trazirat zgjerohen
Londër, 10 gusht - Londra mbrëmë sërish digjej, tri netë me radhë demonstrantët u përleshën me policinë. Protestat që filluan në Totenhem, u zgjeruan edhe në rajonet Kemden, Noting hill dhe Koliers vud, ndërsa trazirat u zgjeruan edhe në qytetet e Birmingemit dhe Liverpulit.
Dhuna, e shoqëruar me thyerjen e vitrinave nëpër shitore, vjedhje dhe hedhje të koktejve të ndezur, fillimisht u përhapën në rajonin Hakni, në pjesën lindore të Londrës, ndërsa më vonë edhe në rajonet Pekam dhe Luip, në pjesën jugore të qytetit.
Sipas mediumeve, janë djegur automobilët, ndërsa demonstrantët janë të armatosur me shufra metali. Ata sulmojnë policinë dhe i vjedhin shitoret lokale, por edhe banorët që i takojnë nëpër rrugë. Janë shkatërruar edhe shumë automjete policore.
Më vonë gjatë mbrëmjes arritën informata për incidente të ngjashme në Birmingem dhe në Liverpul. Një gazetar i rrjetit televiziv ITV njuz në blogun e vet shkruajti se në Liverpul janë djegur së paku gjashtë automibila. Në Birmingem është djegur një stacion i zbrazët policor, lajmëroi reporteri i Gardian nga qyteti i dytë më i madh në Angli. Policia në këtë qytet kumtoi se janë arrestuar 87 persona, ndër të cilët edhe gjashtë minorë.
Për shkak të trazirave kryetari i Londrës e ndërpreu pushimin dhe kthehet në vendin e tij të punës. Në Londër deri tani janë arrestuar 225 njerëz, ndërsa gjatë trazirave janë lënduar 35 policë.