Lituania dhe Polonia mbështesin proceset integruese të Kosovës
Vilnius, 1 korrik - Ministri i Punëve të Jashtëm i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj në ditën e dytë të vizitës në Lituani, ka zhvilluar një sërë takimesh me personalitete të shteteve të ndryshme të botës, pjesëmarrës në Komunitetin e Demokracive.
Fillimisht, Ministri Hoxhaj ka takuar Ministrin e Punëve të Jashtme të Lituanisë, Audronius Aubalis dhe Zëvendësministrin Egidijus Meilūnas. Në këtë takim është diskutuar për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit mes dy shteteve në fushën politike, ekonomike, të arsimit dhe kulturës.
Ministri Hoxhaj ka falënderuar shtetin e Lituanisë për përkushtimin dhe kontributin e dhënë në kuadër të KFOR-it, EULEX-it, të OSCE-së dhe në forcimin e shtetësisë së Republikës së Kosovës.
Në takim është ngritur nevoja e nënshkrimit të disa marrëveshjeve bilaterale mes dy shteteve në fushën e ekonomisë, sigurisë dhe shkëmbimit tregtar. Marrëveshja për Riatdhesim, Marrëveshja për Kthimin e Personave të Dënuar dhe Marrëveshja në fushën e Sigurisë tashmë janë duke u negociuar mes dy shteteve dhe nënshkrimi i tyre pritet të bëhet shumë shpejt.
Nga ana tjetër, zyrtarët e Lituanisë kanë përshëndetur progresin që ka bërë Republika e Kosovës në tre vjetët e kaluara. Ata kanë siguruar Ministrin Hoxhaj se Lituania do të mbështesë fuqishëm proceset integruese të Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian, si dhe kanë mirëpritur propozimin e Ministrit Hoxhaj për organizimin e një forumi ekonomik në Prishtinë mes dy shteteve, për të stimuluar edhe më shumë bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve tona.
Gjatë kësaj vizite, Ministri Hoxhaj ka zhvilluar një takim edhe me Ministrin e Punëve të Jashtme të Polonisë, Radosław Sikorski, shteti i të cilit nga sot ka marrë kryesimin e radhës të Bashkimit Evropian.
Me këtë rast, Ministri Hoxhaj ka kërkuar nga homologu i tij mbështetjen e Polonisë në procesin e Liberalizimit të Vizave dhe në integrimet Euroatlantike.
Ministri Hoxhaj ka zhvilluar një takim edhe me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, Baroneshën Catherine Ashton, me shumë Ministra të Punëve të Jashtme dhe diplomatë të tjerë.
Gjatë këtij forumi, Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, po ashtu ka zhvilluar takime edhe me disa ministra të jashtëm të shteteve anëtare të Ligës Arabe, të Organizatës së Konferencës Islamike, të shteteve nga Afrika dhe Azia dhe me ministra të shteteve që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës.