Linkeviçius: Kosova kusht i negociatave Serbi-BE
Bruksel, 9 tetor - Kryesuesi i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian (BE), ministri i Jashtëm i Lituanisë, Linas Linkeviçius, ka thënë se çështja e Kosovës do të jetë njëra ndër kushtet thelbësore të kornizës së negociatave mes Serbisë dhe BE-së.
Kosova zë vend qendror në kornizën e negociatave. Pra, kjo çështje është shumë e rëndësishme. Me të do të merret edhe Këshilli i Evropës, ka thënë Linkeviçius, në një intervistë për gazetën serbe Novosti.
Në insistimin e gazetarit se a është e nevojshme që Kosova të jetë në qendër të kornizës së negociatave, ndërsa vendeve të tjera kandidate nuk u janë shtruar kushte shtesë, Linkeviçius është përgjigjur.
Theksova se Kosova do të zë vend shumë të rëndësishëm në kornizën e negociatave. Kjo është esenca e çështjes. Por, natyrisht, marrëdhëniet me Kosovën nuk janë i vetmi kusht për Serbinë në procesin e integrimeve, ndonëse ato paraqesin një pjesë të madhe të tyre. Dhe këtë nuk do të duhej ta shpërfillte apo nënçmonte askush, është shprehur ai, transmeton QIK.
Linkeviçius nuk është përgjigjur në një pyetje për ndikimin që mund të ketë në kornizën e negociatave mes Serbisë dhe BE-së dokumenti i përbashkët i Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe, në të cilin shtrohen kërkesa shtesë për Serbinë, përfshirë edhe atë për vendosjen e marrëdhënieve fqinjësore me Kosovën.
Nuk do taë komentoja dokumentet që nuk janë të karakterit zyrtar. Për këtë po diskutohet ende në Këshill, ka thënë ai.
Shefi i diplomacisë lituaneze ka thënë se ende nuk dihet se a do të fillojnë më 20 dhjetor negociatat për anëtarësimin e Serbisë në BE. Ai ka thënë se dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës është shumë i rëndësishëm për marrjen e vendimit për datën e fillimit të negociatave.
Të dy palët mund të japing kontributin e tyre në këtë proces. Për këtë jam bindur personalisht, gjatë vizitës në rajon, kur kam qenë në Serbi dhe në Kosovë, ka thënë kryesuesi i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian, Linas Linkeviçius.