Ligjvënësit amerikan te shqetësuar me trysnin e SHBA-ve ndaj Kosovës

Washington, 14 prill - Ligjvënësi Eliot Engel dhe senatori Bob Menendez, u shprehën të shqetësuar me faktin se Shtetet e Bashkuara ushtruan trysni mbi qeverinë e Kosovës për heqjen e tarifave ndaj mallrave serbe, por nuk po ushtrojnë trysni të duhur mbi Beogradin për të ndaluar fushatën e tij kundër pavarësisë së Kosovës.
Në një letër dërguar Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo, ata shprehën shqetësimin e tyre mbi qasjen e administratës së presidenti Donald Trump ndaj Kosovës dhe Serbisë.
“Ne jemi të shqetësuar se Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë një qasje më të rëndë ndaj qeverisë së zgjedhur të Kosovës”, thuhet në letrën e Kryetarit të Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë, Eliot Engel dhe anëtarit të Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, Bob Menendez.
Administrata e presidentit Trump i ka kërkuar qeverisë së Kosovës të heqë tarifat ndaj Serbisë, në mënyrë që të rihapet dialogu me Serbinë drejt arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse Kosovë – Serbi.
Dy ligjvënësit amerikanë theksuan se Kosova është një aleate dhe Shtetet e Bashkuara duhet të ndjekin një qasje më konstruktive dhe më të durueshme ndaj qeverisë së zgjedhur në Prishtinë.
Ligjvënësit Engel dhe Menendez përshëndetën rritjen e angazhimit të Departamentit të Shtetit, përfshirë përpjekje për arritjen e marrëveshjeve të fundit për udhëtimet mes Kosovës dhe Serbisë, por ata i bën thirrje administratës “që në ditët e ardhshme të shmangin taktikat e pabalancuara të dorës së fortë ndërsa punon me Kosovën dhe Serbinë për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të paqes që pasqyron vullnetin e qytetarëve të të dyja vendeve”.