Liderët e Bashkimit Evropian takohen për krizën
Bruksel, 18 tetor - Liderët e Bashkimit Evropian takohen për një samit dy-ditor të enjten, në të cilin do të trajtojnë krizën e borxhit.
Bisedimet në Bruksel do të përqendrohen në përpjekjet për të ngritur një union bankar në të gjithë eurozonën.
Kjo do të jetë hera e katërt që liderët e BE-së takohen këtë vit dhe Samiti i 22-të i mbajtur që kur shpërtheu kriza në Greqi, në fund të vitit 2009.
Diplomatët, megjithatë, nuk presin rrugëdalje.
Ndërsa udhëheqësit e eurozonës mund të përfshijnë me ndonjë fjali të shkurtër Greqinë në deklaratën përfundimtare të samitit, vendimet e qarta për ta ndihmuar Qipron, Greqinë dhe Spanjën mund të vijnë vetëm në takimin e ministrave të financave, që mbahet në muajin e ardhshëm.