11 Janar 2025

Libia afër njohjes së Kosovës

Munih, 2 shkurt - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë pjesëmarrjes në Konferencën e 49-të për Siguri në Munih, ka zhvilluar një takim me ministrin për Bashkëpunim Ndërkombëtar të Libisë, Mohamed Abdulaziz.

Ministri Abdulaziz ka theksuar se Libia ka qëndrim pozitiv ndaj shtetit të pavarur të Kosovës.

Në këtë kontekst, ai ka thënë se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Libia është vetëm çështje kohe.

Ndërsa, ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, e ka informuar ministrin Abdulaziz për progresin e Kosovës në konsolidimin e shtetësisë përmes ndërtimit të institucioneve demokratike, integrimit të komuniteteve, zhvillimit ekonomik dhe ndërtimit të drejtësisë sociale për të gjithë qytetarët.

“Populli i Kosovës ka luftuar për aspirata të njëjta, dinjitet njerëzor, drejtësi, liri dhe pavarësi politike sikurse Libia dhe shumë vende arabe kundër regjimeve diktatoriale”, theksoi ministri Hoxhaj, gjatë takimit.

Ai po ashtu theksoi sukseset që ka arritur Kosova në forcimin e pozitës ndërkombëtare në botë, përmes një procesi të pandalshëm të njohjeve dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, rajonale e evropiane.

“Kosova është një fakt gjeopolitik në Evropë dhe në botë. Ajo çdoherë do të jetë pjesë e peizazhit të shteteve të pavarura dhe ne synojmë anëtarësimin në OKB”, tha Hoxhaj.

Ai po ashtu vlerësoi se Libia nuk ka asnjë arsye as politike as juridike për të shtyrë njohjen zyrtare të Kosovës duke përmendur në këtë kontekst kontributin  e Kosovës në promovimin e paqes dhe stabilitet në Evropë dhe në botë si dhe vendimin e GJND-së për legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës.

“Ne jemi të interesuar që të vendosim marrëdhënie diplomatike dhe të lëvizim drejt bashkëpunimit në të gjitha fushat e jetës me Libinë”, tha Hoxhaj.

Ministri Hoxhaj gjatë dy vjetëve të fundit ka zhvilluar disa takime me përfaqësues të lartë të Libisë, në përpjekje për të përshpejtuar vendimin e këtij shteti për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Ndërkaq, gjatë pjesëmarrjes në Konferencën e 49-të për Siguri në Munih, ministri Hoxhaj ka zhvilluar takime edhe më shumë homologë të shteteve të tjera si me ministrin e Punëve të Jashtme të Suedisë, Carl Bildt, ministrin e Jashtëm të Luksemburgut, Jean Asselborn, homologun Finlandez, Erkki Tuomioja, atë bullgar, Nickolay Mladenov dhe shumë përfaqësues e diplomatë të tjerë të shteteve të Bashkimit Evropian.

Ministri Hoxhaj ka marrë mbështetjen e shefave të diplomacive të shteteve evropiane për  konsolidimin e shtetësisë dhe  proceset integruese evropiane të Kosovës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)