Liberalizimi i vizave, kushtet janë plotësuar, presim udhërrëfyesin
Prishtinë, 29 nëntor - Gjatë ditës së parë të vizitës në Bruksel Ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku, e shoqëruar nga Kryetari i Komisionit për Integrim Evropian të Kuvendit të Kosovës Lutfi Haziri, takuan Komisionerin për Zgjerim Stefan Füle, deputeten e Parlamentit Evropian znj. Doris Pack dhe Përfaqësuesin e Përhershëm të Holandës në Bashkimin Evropian Ambasadorin Pieter de Gooijer.
Gjatë takimit me Komisionerin për Zgjerim Stefan Füle u diskutuan hapat e radhës në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave dhe negocimit të marrëveshjes tregtare.
Ministrja Çitaku dhe Kryetari i Komisionit për Integrim Evropian Haziri, informuan Komisionerin Füle lidhur me hapat e ndërmarr nga ana e institucioneve për adresimin e Raportit të Progresit.
Diskutim i frytshëm u zhvillua mbi procesin e bashkëpunimit rajonal, njohjes nga pesë vendet anëtare të BE-së dhe themelimit të marrëdhënieve kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Ministrja Çitaku shprehi bindjen e Qeverisë se të gjitha parakushtet për fillimin e dialogut për liberalizimin e vizave janë plotësuar.
Komisioneri Füle lavdëroj punën e institucioneve në fushën e liberalizimit të vizave, gjegjësisht të ri-integrimit të personave të riatdhesuar, dhe njëkohësisht ftoj institucionet e vendit të vazhdojnë me rezultatet e treguar deri tani.
Komisioneri nënvizoj se agjenda Evropiane e Kosovës duhet të konkretizohet me procesin e liberalizimit të vizave dhe në këtë drejtim pret përkrahjen edhe të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.
Gjatë takimit me deputeten Pack, Ministrja njoftoi znj. Pack për zhvillimet e fundit politike në Kosovë. Në veçanti u diskutua agjenda Evropiane e Kosovës, progresi në fushën e liberalizimit të vizave dhe masat e Qeverisë për adresimin e rekomandimeve të Raportit të Progresit.
Njëkohësisht, Ministrja Çitaku falënderoj znj. Pack për angazhimin e Parlamentit Evropian përmes mocionit të fundit për rezolutë për Kosovën, përmes të cilit Parlamenti Evropian ka bërë thirrje pesë vendeve anëtare të BE-së të njohin pavarësinë e Kosovës dhe të materializojnë të ardhmen Evropiane të Kosovës.
Takimi me ambasadorin de Gooijer u fokusua në bashkëpunimin rajonal, procesin e liberalizimit të vizave dhe përkrahjen e Holandës në kuadër të këtij procesi.
Gjatë takimit Ministrja Çitaku nënvizoj se të gjitha parakushtet për fillimin e dialogut për liberalizimin e vizave janë plotësuar dhe Qeveria e Kosovës pret trajtim të barabartë, fer dhe strikt në kuadër të dialogut.
Dita e parë u përmbyll me darkën ceremoniale për panelistët e samitit Balkans Scorecard të organizuar nga Friends of Europe dhe Konrad Adenauer Stiftung
Gjatë ditës së nesërme Ministrja Çitaku do të jetë paneliste e samitit Balkans Scorecard. Po ashtu Ministrja Çitaku do të zhvillon takime me Zëvendës Presidenten e Parlamentit Evropian znj. Diana Wallis dhe deputetë të Parlamentit Evropian z. Eduard Kukan dhe znj. Ulrike Lunachek.