Letonia rikthen shërbimin e detyrueshëm ushtarak
Riga, 6 prill - Parlamenti i Letonisë ka votuar “pro” rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak për të rinjtë nga viti i ardhshëm , raporton “France Press”.
Masa synon të adresojë rreziqet e sigurisë rajonale në mes të luftës së Rusisë fqinje kundër Ukrainës. Shërbimi Shtetëror i Mbrojtjes është përgjigja jonë ndaj kërcënimit të ri gjeopolitik , u tha para votimit ministrja letoneze e Mbrojtjes Inara Murniece.
“Pas pushtimit brutal të Ukrainës nga Rusia, ne mund të sigurojmë që Letonia të mbrohet vetëm përmes zgjidhjeve gjithëpërfshirëse të mbrojtjes, të cilat përfshijnë vendosjen jo vetëm të sistemeve të armëve, por edhe një pjesë të madhe të shoqërisë, në gatishmëri luftarake”, shtoi ajo.
Që nga viti 2007, ushtria e vendit anëtar të BE-së përbëhet nga ushtarë profesionistë si dhe vullnetarë të Gardës Kombëtare që shërbejnë në këmbësorinë me kohë të pjesshme gjatë fundjavave. Vendi me më pak se dy milionë banorë kufizohet me Bjellorusinë dhe Rusinë. Aktualisht ka vetëm 7,500 ushtarë aktivë dhe anëtarë të Gardës Kombëtare, të mbështetur nga 1,500 trupa të NATO-s.
Rekrutimi do të jetë në fuqi për meshkujt e moshës 18 deri në 27 vjeç, me disa opsione për përmbushjen e kërkesës. Një alternativë ndaj shërbimit joushtarak do t’u ofrohet edhe atyre që nuk kanë të drejtë për arsye shëndetësore ose fetare. Presidenti i vendit pritet gjithashtu t’i japë dritën jeshile propozimit për hyrjen në fuqi të shërbimit të detyrueshëm ushtarak.